2008-05-22 18:18:42

Dita e katërt e ipeshkvijve të Shqipërisë në Vatikan për vizitën ‘ad Limina’: pranë Krishtit e pranë emigrantëve.


(22.05.2008 RV)Veprimtaria kryesore e paradites së sotme për prelatët e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë ishte takimi, organizuar nga Migrantes (Fondacion i Konferencës Episkopale Italiane), me temë: “Raport për objektivat e realizuara dhe programimin e veprimtarive të reja baritore me emigrantët shqiptarë në Itali”.
Ipeshkvijtë e Shqipërisë kërkuan nga Konferenca Ipeshkvnore italiane ta thellojë ndihmesën e saj konkrete për mikpritjen e mërgimtarëve shqiptarë në Itali dhe për kujdesin e tyre shpirtëror, pa harruar edhe nevojën urgjente të integrimit në shoqërinë e re, ku jetojnë e punojnë.
Ndërsa dje paradite morën pjesë në audiencën e përgjithshme të Atit të Shenjtë, ku ishte i pranishëm edhe një grup besimtarësh, i ardhur nga Rrësheni, si edhe përfaqësues të shumtë të bashkësisë së mërgimtarëve katolikë shqiptarë në Romë, të cilët patën kënaqësinë të pëshëndeteshin nga Benedikti XVI. Papa i falënderoi për praninë tyre e u dha zemër të ecin me besnikëri në rrugën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, për të qenë kështu të krishterë të vërtetë në familje e në çdo mjedis të shoqërisë shqiptare.
Dje pasdite prelatët katolikë të Shqipërisë ishin në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, ku bashkëkremtuan Meshën Shenjte, të kryesuar nga kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angjelo Masafra.
Ndërsa nesër, më 23 maj, vizita ‘ad Limina’ e Ipeshkvijve shqiptarë do të arrijë një nga kulmet e veta: Papa do t’i presë në audiencë të gjithë prelatët dhe do t’u japë porositë e tij, pas përshëndetjes nga ana e Kryetarit të ipeshkvijve, imzot Rrok Mirditës. Më pas do të vijojnë vizitat në Kongregatën për Kultin Hyjnor dhe në Këshillin Papnor për dialogun ndërfetar.
Të shtunën, 24 maj, Papa do të takohet me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirditën, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, me ndihmësin e tij, imzot Gjergj Frendon, me administratorin e Shqipërisë së Jugut, Imzot Hil Kabashin dhe me ipeshkvin e Rrëshenit, imzot Kristofor Palmierin.







All the contents on this site are copyrighted ©.