Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Romano Melodit, poet i fesë në shekujt V
e VI: “Në se feja është e gjallë, kultura e krishterë nuk bëhet diçka që i përket
së kaluarës”.
(21.05.2008 RV)Në audiencën e sotme
të përgjithshme Benedikti XVI vuri theksin mbi bukurinë e kulturës së krishterë dhe
mbi trashëgiminë e saj, gjithnjë të gjallë, sepse me rrënjë të thella në Fenë e Krishtit.
U frymëzua për këtë reflektim nga figura e Romano Melodit, poet e diakon, që jetoi
ndërmjet shekujve V e VI, të cilin e vuri në qëndër të audiencës. ‘Kultura e krishterë
lindi nga lidhja e zemrës me të vërtetën, që është dashuri’: këto fjalë ishin në bazë
të reflektimit të sotëm të Papës, i cili e vijoi katekizmin duke i njohur të pranishmit
me jetën dhe veprën e Romano Melodit. I lindur në Siri në vitin 490, për të shkuar
më pas në Kostandinopojë, Romano u quajt ‘Pindari i krishtierë’ për ndjenjat e larta
të kompozimeve të tij në vargje. Ky poet i madh – vijoi Papa – na kujton gjithë thesarin
e kulturës së krishterë, të lindur nga feja, të lindur nga takimi i zemrës njerëzore
me Krishtin, Birin e Hyjit: “Në se feja është e gjallë, edhe kjo trashëgimi
kulturore nuk mund të vdesë. Ajo fiton gjithnjë freski të re. Ikonat i flasin edhe
sot zemrës së besimtarit, nuk janë shprehje e së kaluarës. Katedralet nuk janë monumente
mesjetare, por shtëpi jete, ku e ndjejmë veten si në shtëpi tonë, ku takohemi me Hyjin
e me njëri-tjetrin. E muzika e madhe, gregoriane, Bah a Moxart, në Kishë nuk është
art i së kaluarës, por është plotësisht e gjallë në jetën e liturgjisë së fesë sonë.
Në se feja jeton, kultura e krishterë nuk bëhet e kaluar, por mbetet e gjallë dhe
e pranishme”. Në se feja është e gjallë – ritheksoi Ati i Shenjtë – edhe sot
mund t’i përgjigjemi urdhërit, që vijon të përsëritet në Psalme: “Këndojini Zotit
një këngë të re!”: “Krijimaria, risia, kënga e re, kultura e re e prania e të
gjithë trashëgimisë kulturore në gjallërinë e fesë, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën,
por janë një realitet i vetëm, janë prani e bukurisë së Zotit, e gëzimit të Birit
të Hyjit”. Duke u ndaluar posaçërisht tek figura e Romano Melodit, Papa shpjegoi
se ngjarja kryesore e jetës së tij qe një ëndërr, në të cilën iu duk Nëna e Hyjit
dhe i dhuroi frymëzimin poetik. Romano – vijoi Ati i Shenjtë – qe dëshmitar i shquar
i ndjenjës fetare të epokës së tij. Në Kostandinopojë predikonte në një shenjtërore
ndër rrethinat e qytetit të madh. Këtu diakoni i fliste bashkësisë, duke mbajtur homeli
që ishin më shumë këngë e që njiheshin me emrin ‘kontákia’. Sipas traditës, mbajti
një mijë kontákia, por ne na arritën vetëm 89. Romano fliste në një greqishte, që
i afrohej koiné-së së Besëlidhjes së Re, sepse një gjuhë e tillë merrej vesh më mirë
nga besimtarët. Një nga shembujt më domethënës prej homelive të Romanos, është dialogu
dramatik ndërmjet Marisë e të Birit, në rrugën e Kryqit: “Ku po shkon, o Bir?
Pse po e kryen kaq shpejt rrugën e jetës sate?/ Nuk do ta kisha besuar kurrë, o Bir,
se do të të shikoj një ditë në këtë mjerim/ e as ndër mend s’do të më kishte shkuar
se njerëzit e mbrapshtë do të tërboheshin kundër teje aq/ sa të venë dorë mbi ty,
në kundërshtim me çdo drejtësi’/. E Jezusi përgjigjet: “Pse qan, o Nëna ime?... /Thua
s’duhet të vuaj? S’duhet të vdes? E si mund ta shpëtoj ndryshe Adamin?”//. Kështu
Biri i Marisë e ngushëllon Nënën, por gjithnjë duke kujtuar rolin e Tij në historinë
e Shëlbimit. Komunikator i aftë – vërejti Papa – Romano Melodi mendon se homelitë
e tij do të ishin fare pa vlerë, në se nuk do të jetonte ashtu si predikonte. Papa
foli edhe për ‘humanitetin që rreh njëherësh me zemrën”, për ‘zjarrin e fesë’, ‘përvujtërinë
e thellë”, ndjenja të cilat i përshkojnë tej e ndanë këngët e Romano Melodit. Në himnet
e tij gjejmë terma kristologjike dhe mariologjike. Diakoni predikon një kristologji
të thjeshtë, të kuptueshme për popullin dhe lufton gabimet e arianëve, që mohonin
hyjninë e Krishtit, ndërsa na jep një përmbledhje të shkëlqyer të pneumatologjisë,
apo të shkencës së shpirtrave, në përkim me Koncilin e Kostandinopojës. Duke predikuar
në solemnitetin e Rrëshajëve – tha Papa – Romano nënvizon vazhdimësinë ndërmjet Krishtit
të ngjitur në qiell dhe Apostujve, dmth Kishës. Ndërmjet tjerash, Predikatari i madh
kërkon edhe që i krishteri ta praktikojë dashurinë, përmes veprave të bamirësisë.