2008-05-21 18:12:50

Kardinali Kasper në Rusi: do t’i dorëzojë një mesazh të Benediktit XVI Patrikut Aleksej II.


(21.05.2008 RV)Kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, nisi sot një udhëtim në Federatën Ruse, duke iu përgjigjur ftesës së Hirësisë së Tij, Kirill, metropolit i Smolenskut e i Kaliningradit, si dhe kryetar i departamentit për marrëdhëniet e jashtme kishtare të Patriarkanës së Moskës.
Gjatë udhëtimit, që do të përfundojë më 30 maj, Hirësia e Tij do të shkojë në vende të ndryshme të Rusisë. Vizita do të nisë me kremtimin e festës së Korpit të Krishtit në katedralen katolike të Nënës së Hyjit në Moskë, me ftesën e kryeipeshkvit Paolo Peci. Sipas programit, do të takohet edhe me Patrikun e Moskës e të të gjithë Rusive, Aleksejn II, të cilit kardinali Kasper do t’i dorëzojë një mesazh dhe një dhuratë nga Benedikti XVI.Në vijim, gjithnjë me ftesë të metropolitit Kirill, kardinali Kasper do të marrë pjesë edhe në një kremtim me rastin e ditës së emrit të përfaqësuesit të lartë ortodoks, në Smolensk. Hirësia e Tij do të bëjë një shtegtim në Kazan, për të nderuar ikonën e Zojës, të cilën ai vetë, në emër të Gjon Palit II, e pati rikthyer në Rusi në vitin 2004. Parashikohet edhe një vizitë në manastirin e Divjevos, pranë Nizhni Novgorodit, ku do të nderojë shën Serafinin e Sarovit, posaçërisht i dashur nga populli rus.
Qëllimi i udhëtimit – sipas një Komunikate të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve – përveç takimit personal të kardinalit Kasper me bashkësinë katolike të Moskës dhe me përfaqësuesit e tjerë të ortodoksisë ruse, është edhe njohja e drejtëpërdrejtë e pasurive fetare e kulturore të traditës ruse.








All the contents on this site are copyrighted ©.