Arrihet marrëveshja për zgjidhjen e krizës së Libanit
(21.05.2008 RV)Krerët politikë
libanezë, të mbledhur në Doha të Katarit arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund
krizës në vend. Brenda 24 orësh, komandati i ushtrisë libaneze, Mishel Sulejman do
të zgjidhet president i republikës. Një rezultat i rëndësishëm ky, pas muajsh boshllëku
institucional dhe krizës, që po e çonte Vendin e Kedrave drejt luftës civile. Por
sa mund të konsiderohet në të mirë të Libanit? Përgjigjet Antonio Ferrari, i dërguari
i veçantë i gazetës italiane “Corriere della Sera” e njohës i thellë i politikës së
Lindjes së Mesme: Marrëveshja parashikon emërimin e presidentit të Republikës
– dimë se kjo detyrë nuk mbulohet që nga fundi i nëntorit. Por, problemi vjen në hapin
e dytë: në qeverinë e re do të marrin pjesë 30 ministra, 16 të mazhorancës pro-perëndimore
të kryeministrit Fuad Siniora, 11 të opozitës së udhëhequr nga Hezbollahët dhe tre
të emëruar nga presidenti i Republikës. Duhet parë se cilat ministri do t’i kalojnë
njërës apo tjetrës palë. Por hapi i tretë, ai më alarmuesi, është se opozita do të
ketë të drejtën e vetos. Kjo do të thotë që mazhoranca mund të qeverisë vetëm me konsensusin
e opozitës, prandaj mund të themi se fitimtari i vërtetë i këtij kompromisi është
lëvizja Hezbollah e natyrisht përkrahësit e saj Siria dhe Irani. Libani do të jetë
në paqe, por do të humbë diçka nga sovraniteti i vet.