2008-05-21 18:13:38

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(21.05.2008 RV)21 maj: Zgjedhja e abatit, shembull i praktikimit të demokracisë
Në këtë paradite të trishtë të 3 shkurtit 1446 abacia cistercense e Bonevalit është tejet e tronditur. Abati, atë Zhan Robert, sapo ka ndërruar jetë. Vëllezërit që shërbejnë në kuvend, mblidhen në sallën e madhe kapitullare dhe vendosin të ritakohen më 15 të muajit, për zgjedhjen e abatit të ri. Kështu edhe ata që nuk ndodhen në kuvend në këtë ças, do të mund të kthehen me kohë. Në pritje të zgjedhjes, kuvendi zjen nga diskutimet. Disa dëshirojnë të zgjedhin epror Deodat Fresaldin; të tjerët, ekonomin Pierr Rigald… Më 15 shkurt vëllezërit mblidhen rishtas në sallën kapitullare për të caktuar tre vëllezërit vëzhgues që do të mbledhin votat e bashkësisë e do të shpallin edhe rezultatet. Me që detyra është tepër e rëndësishme, zgjidhen murgjër të moshuar, të ndershëm e tejet të kujdesshëm. Tre vëzhguesit betohen mbi Ungjill se do ta kryejnë me ndershmëri e besnikëri këtë detyrë kaq të rëndësishme. Më pas dalin te dera e sallës kapitullare, në mënyrë që t’i shikojnë të gjithë. E tani mund të fillojë votimi
Njëri pas tjetrit rregulltarët i pëshpërisin në vesh secilit vëzhgues emrin e kandidatit që dëshirojnë të zgjedhin. Kur të gjithë rikthehen në vendin e vet, vëzhguesit njoftojnë se e kanë shkruar emrin e abatit të ri, por para se t’ia shpallin bashkësisë, do të kontrollojnë për herë të fundit numrin e zgjedhësve dhe cilësinë e tyre. Kështu të gjithë do të binden se abati është zgjedhur nga shumica e etërve - dmth nga mazhoranca – në gjirin e së cilës janë murgjërit më të mësuar e më të nderuar.
Në këtë çast e merr fjalën eprori i kuvendit:
“Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt, unë, Deodat Fresaldi, epror i kuvendit të Bonevalit, në emrin tim e të gjithë atyre që kanë të drejtë zgjedhore në këtë votim, përmes pushtetit që m’u dha nga i tërë kapitulli, pasi iu luta Shpirtit Shenjt, emëroj atë Pierr Rigaldin abat e bari!”.
I sapozgjedhuri pranon detyrën e re. Më pas, para dëshmitarëve shekullarë dhe një noteri, hartohet proces-verbali i zgjedhjes.Për murgjërit e Bonevalit, zgjedhja është pjesë përbërëse e jetës në bashkësi. Të gjitha manastiret e krishtera e të gjitha koncilet ndjekin të njëjtën procedurë. Në se demokracia lindi për herë të parë në Greqinë e lashtë, Kisha është i vetmi institucion, në të cilin që nga shekulli XIII praktikohet ky tip votimi, që përbën bazën e jetës politike e demokratike të epokës sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.