2008-05-20 18:32:22

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(20.05.2008 RV)RealAudioMP3 20 maj: Koncili i Firences: pajtimi me Kishën ortodokse.
Në këtë mëngjes të bukur të vitit 1438, katedralja e Firences ushton nga britmat gazmore. Për gjithë të pranishmit sot është ditë e madhe, ditë të cilën nuk do të kishin guxuar as ta ëndërronin. Por, ç’ka ngjarë?
Prej disa muajsh, ipeshkvij, meshtarë e studiues të mëdhenj janë mbledhur rreth papës në Firence. Përfaqësojnë mbarë Kishën katolike: Kishën e Romës.
Por ndërmjet tyre ka edhe disa përfaqësues të Kishës ortodokse, Kishës lindore, me qendër në Kostandinopojë. Kjo Kishë u shkëput nga Papa që në vitin e largët 1054, sepse nuk pajtohej me formulat me të cilat të krishterët shpallnin fenë e tyre (kryesisht, nuk pranonin Besojmën). E kështu, që nga vitit 1054 e tutje, Kisha Perëndimore e ajo Lindore jetuan si dy motra, që nuk e njohin më njëra-tjetrën, pasi janë grindur keqas. Po ja që në vitin 1438, dy motrat bëjnë një përpjekje të fuqishme dhe organizojnë një sërë takimesh, për të kërkuar rrugët e pajtimit. E kështu u arrit ajo, që nuk mund as të shpresohej: të dyja palët gjejnë një fjalë të përbashkët. Secila Kishë mund ta ruajë Besojmën e vet, sepse të dyja formulat, ndonëse të ndryshme, në fund të fundit thonë të njëjtën gjë. Thua nuk besojnë në të njëjtin Zot të krishterët e Perëndimit e ata të Lindjes? E kjo është edhe arsyeja që e shtyn sot Firencen të hovë nga gëzimi. Përfaqësuesit e dy Kishave i shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit e përqafohen.
Shkruhet një deklaratë e përbashkët, që nis me fjalët: “Gëzohet sot qielli…”, dhe shpreh kënaqësinë e të dyja Kishave për kapërcimin e ndarjes. Për fat të keq, kënaqësia për këtë arritje të pashpresuar zbehet shumë shpejt. Kur delegatët e të dyja palëve kthehen në shtëpi, nuk arrijnë t’ua përcjellin entuziazmin edhe të krishterëve të Kishave të tyre. Ata arritën të merren vesh, falë vullnetit të mirë, por turmat e të krishterëve dhe mbretërit që i sundojnë, nuk i besojnë fare këtij afrimi kaq të beftë, pas katër shekuj përçarjesh. Secili e ndjen veten mirë në Kishë të vet. Kështu Koncili i Firences nuk ka kurrfarë rezultati. Edhe sot e kësaj dite dy Kishat nuk janë bashkuar akoma, ndonëse prej disa vitesh ka rifilluar dialogu i katolikëve me ortodoksët, e edhe me protestantët, të cilët në kohën kur ishte mbledhur Koncili në Firence, nuk ekzistonin akoma. Ky dialog ndërmjet Kishave të krishtera u quajt ‘ekumenizëm”. Njerëzimi vijon të jetë në pritje. Po a do ta kemi fatin t’i shikojmë një ditë të gjitha kishat e krishtera vërtetë të bashkuara? Ku ta dish!








All the contents on this site are copyrighted ©.