Vjetari statistikor i Kishës: rritet prania e katolikëve në Afrikë
(19.05.2008 RV)Gjatë shtatë vjetëve të fundit, prania e të pagëzuarve në botë
ka mbetur e pandryshueshme, rreth 17% e popullsisë së përgjithshme: numri i besimtarëve
është rritur me ritmin e shtimit të popullsisë globale (rreth 1, 8 %). Natyrisht kjo
rritje është e ndryshme në zona të ndryshme të Planetit. Të dhënat, publikuar nga
gazeta ‘L’Osservatore Romano’, i përkasin periudhës 2000-2006. Këto të dhëna, përpunuar
nga Zyra Qëndrore Statistikore e Kishës, u përmblodhën në Annuarium Statisticum Ecclesiæ
dhe u publikuan nga Shtëpia Botuese e Vatikanit. Nga statisitkat mësojmë se gjysma
e rreth 1 miliard e 131 milionë katolikëve në botë, jeton në Veri e në Jug të Amerikës,
më pak se një e katërta në Evropë, ku vërehet një rënie prej 2%; 10% në Azi e 14%
në Afrikë. Ky i fundit duket Kontienti më dinamik: në të numri i besimtarëve katolikë
është rritur 22%, duke ia kaluar ritmit demografik. Ndërsa në Evropë, përkundrazi,
rritja është më e vogël se 1%, në sa vërehet një amulli shqetësuese në rritjen e popullsisë
së përgjithshme. Numri i besimtarëve është rritur edhe në Oqeani e në Amerikë, ndonëse
me ritëm më të ngadaltë se ai demografik. Ndryshime nga vendi në vend vërehen
edhe në strukturat territoriale të Kishës: ndërsa Azi e në Afrikë është rritur numri
i qarqeve kishtare, në Evropë vijon të mbetet i palëvizur. Po numri i klerikëve?Popullsia
klerikale, 407 mijë në vitin 2006, është rritur me 0.51%, me një rritje më të dukshme
në Azi e në Afrikë, përkatësisht + 23, 24% e + 17, 71%). Në Amerikë mbetet e pandryshueshme,
ndërsa në Evropë e në Oqeani, është në rënie. Ndërkaq vërehet një rënie e ndjeshme
e numrit të rregulltareve me kushte të përjetshme, që kalon nga 800 mijë, në 750 mijë,
me shtrirje në të gjitha zonat gjeografike, duke përjashtuar Afrikën e Azinë. Pozitive
prania e studentëve të filozofisë e të teologjisë e cila, në nivel global, është rritur
4, 43%.