2008-05-19 18:14:20

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(19.05.2008 RV)19 maj: Misteret, shfaqje teatrale në shërbim të ungjillëzimit.
Është një ditë e mrekullueshme e vitit 1435. Udhët janë të shkreta e shtëpitë, bosh. Po pse ndodh kjo? Është një mister…
Pikërisht kështu. I gjithë qyteti merr pjesë në një mister të madh, që do të zgjasë katër ditë.
Por duhet sqaruar se në mesjetë fjala mister nuk ka vetëm kuptimin e enigmës. Mister quhet edhe një shfaqje teatrale me karakter fetar, që tregon, në vija të trasha, gjithë historinë e Biblës, që nga Adami e Eva, deri në ngjalljen e Krishtit. E pikërisht për këtë arsye, misteri zgjat disa ditë, për gëzimin e madh të publikut! Njerëzve u pëlqen jashtëzakonisht misteri, sepse marrin pjesë të gjithë në përgatitjen e festës. Në të vërtetë misteret nuk interpretohen kurrë nga aktorë profesionistë, por nga vetë qytetarët.
Aventura fillon që në çastin kur qeveritarët e qytetit emërojnë drejtuesin e mistereve, i cili ka një mori detyrash: cakton zdrukthëtarët, që do të ndërtojnë skenën, gjen muzikantët e aktorët vullnetarë, drejton provat… S’i zënë këmbët dhe, derisa arrin dita e pritur. Por edhe aktorët nuk kanë më pak punë, sepse u duhet të mësojnë rolet, të përgatisin kostumet, të bëjnë prova të vazhdueshme… Kështu të gjitha familjet e qytetit marrin pjesë në përgatitjen e shfaqjes. E kur nis festa, askush nuk gjindet në shtëpi, e as në punë. Të gjithë mblidhen në sheshin e qytetit, ku skenat janë ngritur prej kohe . Janë shumë: një për parajsën, një për skëterrën, të tjerat për ngjarjet biblike që zhvillohen në tokë. Publiku lëviz nga njëra skenë tek tjetra, sipas vendit ku luajnë aktorët. Shikuesit formojë një shoqëri shumë gazmore, në të cilën ngatërrohen të varfër e të pasur. Publiku nuk kërkon shumë art, ndërsa kryetari i shfaqjes është shumë kërkues: rivendos qetësinë, kur prishet; shpjegon fragmentet e vështira; paraqet personazhet… Falë atij, turma ia arrin ta ndjekë pa vështirësi historinë e, kur shfaqja arrin kulmin, mbetet pa frymë, sepse shpesh në skenë luhen pjesë vërtetë mahnitëse. Publikut i pëlqejnë posaçërisht efektet e posaçme. Kur engjëjt nisin të fluturojnë mbi kokat e shikuesve, falë përdorimit të disa mekanizmave të shpikura për këtë rast, suksesi është i padiskutueshëm. Në këtë kohë, shumë të krishterë nuk dinë shkrim as këndim e kështu nuk mund ta lexojnë Biblën. Ashtu si pikturat mbi harqet e kishave e mbi muret e ndërtesave fetare, misteret luajnë rolin e mësimit të katekizmit. Edhe misteret janë një formë arti në shërbim të ungjillëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.