2008-05-18 18:41:00

Atë Federiko Lombardi reflekton për profecinë e enciklikës Humanæ vitæ


(18.05.2008 RV)RealAudioMP3 “Detyra e vështrirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”.
Me këto fjalë nis enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ, së cilës drejtori i përgjithshëm i Radios sonë, Atë Federiko Lombardi, i kushton reflektimin e sotëm:

 
“Kanë kaluar 40 vjet nga botimi i enciklikës më të diskutuar të kohëve tona: Humanæ Vitæ. Benedikti XVI i kushtoi kohët e fundit një reflektim të thellë, me rastin e një takimi, organizuar në Universitetin e Lateranit. E quan fryt i një “vendimi të thelluar”, “gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës”. Është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi “një të vërtetë të pandryshueshme”, që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah “largpamësinë me të cilën përballohet problemi”.
Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Eshtë një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë”, që sot çirret nga çdo çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV -ve e i kompjuterave tonë.
Por pikërisht për këtë enciklika Humanæ Vitæ është largpamëse. Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na kujton të vërtetën dhe dinjitein e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë.
E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi, “mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që – siç thotë Papa – rri gjithnjë në pritë”. Ndërsa “dashuria dhe arsyeja së bashku – vijon Benedikti XVI – mund të bëjnë diçka shumë të madhe”: Po: duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen e për të nesërmen. Për të gjithë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.