2008-05-18 18:31:59

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(18.05.2008 RV)RealAudioMP3 18 maj: Bernardini i Sienës, një mësim befasues për bashkëshortët.
Sheshi i Sienës është përplot me njerëz: u desh të ndërtohej një tribunë, që të gjithë ta shikonin e ta dëgjonin Bernardinin. Jemi në vitin 1430 e Bernardini është një rregulltar françeskan, që i bie kryq e tërthor udhëve të Italisë, këmbëzbathur, duke lypur derë më derë një copë bukë për të ngrënë. Kudo i shkel këmba, njerëzit ngarendin ta dëgjojnë kur flet për Hyjin. Dhe kanë ç’të dëgjojnë. Sapo hap gojën për të folur, Bernardini i mahnit dëgjuesit. Është predikatar i madh. Ndalet në një qytet, ku i qorton banorët për jetën e tyre luksoze e, pak kohë pas largimit të tij, administrata vendase ndez një turrë drunjsh, ku flak rrobet e stolitë e shtrenjta, që bëhen hi e pluhur. Në vitin 1425, në qytetin e Sienës, prej nga vjen Bernardini, françeskani kritikon lojën e bixhozit, duke e quajtur imorale e, menjëherë pas, shkatërron mjedisin ku luhet.
Turma është zhytur në një heshtje të thellë. Pret me padurim fjalën e fratit. Ç’do të thotë sot? Bernardini arrin e nis, sakaq, predikimin. Turma vijon të heshtë, e mahnitur.
“Gratë nuk duhet t’u nënshtrohen burrave, sepse kanë të drejta të barabarta”.
Të flasësh kështu në shekullin XVI do të thotë të thuash gjëra të padëgjuara. Është një fjalë tejet e re kjo, që po i thuhet sot dëgjuesve. E, pa e kryer mirë fjalën predikatari, një grua e shikon të shoqin me vështrim ngacmues e i thotë:
“Ej, Jozef, si po të duket predikimi?”.
Jozefi i gjorë, jashtëzakonisht i çuditur, mërmëron:
“Na ardhka frati për të na e zbuluar një të vërtetë, që e dinë të gjithë. Madje prej kohe! E vërteta është shkruar në Bibël nga Shën Pali, që thotë: ‘Gratë duhet t’u binden burrave të vet në gjithçka’. Bibla është fjala e Zotit: nuk mund ta kundështojë askush!”.
Po Bernardini vijon fjalimin e kujton pikërisht Shën Palin, duke shpjeguar se fraza e cituar nga Jozefi, ka një kuptim të përcaktuar. Eshtë shkëputur nga një letër, në të cilën Shën Pali thotë se dashuria e burrit për gruan, është si dashuria e Krishtit për Kishën e vet. Figurë e bukur, por edhe e ndërlikuar. Fraza e famshme mbi nënshtrimin e grave, është shumë e urtë, por nuk duhet të shkëputet nga shprehjet e tjera, as të citohet në çdo lloj situate, vetëm e vetëm për t’ua mbyllur gojën grave! Shën Pali sigurisht nuk donte t’i shndërronte burrat në tiranë. Përkundrazi, burrat duhet të jenë gati të japin edhe jetën për gratë e veta, ashtu si Krishti dha jetën për Kishën. Kështu, bashkëshortët duhet t’i shërbejnë me të njëjtën dashuri e bindje njeri-tjetrit”.
Turma e dëgjon Bernardinin, e befasuar nga kjo ide krejt e re. Në këtë histori nuk tregohet ç’thanë burrat, kur u kthyen në shtëpi të vet. Por s’ka dyshim se e medituan fjalën e Bernardinit… për ta vënë më pas edhe në jetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.