2008-05-17 19:27:56

Shtegtimi i Papës Benedikti XVI në Savonë e në Gjenovë të Italisë. Mëshira, Hiri e Besnikëria e Zotit në qendër të homelisë në Sheshin e Popullit në Savonë.


(17.05.2008 RV)RealAudioMP3 Dukja e Zojës së Mëshirës, në një moment tragjik të historisë së Savonës dhe përvoja e tmerrshme nëpër të cilën kaloi Papa Pio VII, që iu desh të kundërshtonte Napoleon Bonapartin ishin në qendër të homelisë së Papës Benedikti XVI në Sheshin e Popullit në Savonë. Përfundoi pra sot, etapa e parë e udhëtimit të Atit të Shenjtë në Savonë e Gjenovë të Italisë. Pas vizitës në Shenjtëroren e Zojës së Mëshirës, që e nderon krejt qyteti si Pajtoren e vet hyjnore, Papa shkoi në sheshin e Popullit ku kremtoi Meshën Shenjtë sëbashku me klerin vendas, para besimtarëve të mbledhur për t’u takuar me Benediktin XVI. Papa komentoi leximet biblike të festës së Trinisë Shenjte, duke vënë në dukje se është momenti kur Zoti shpall emrin e vet si Zot i Mëshirës, i Hirit dhe i Besnikërisë. Këto tri fjalë u bënë edhe lajtmotivi i krejt homelisë.
“Si mund të mos gëzohem me ju për faktin se ky emër është pikërisht ai me të cilin paraqitet Virgjëra Mari, duke iu dukur një fshatari, bir i kësaj toke, më 18 mars 1536? “Zoja e Mëshirës” është titulli me të cilin nderohet”.
E mëshira është mjeti me të cilin Zoti shpëton atë që është në rrezik, shpëton krejt njerëzimin nëpërmjet dhurimit të Birit të tij të vetëm. E për këtë vepër mëshire, Hyji i Gjithëpushtetshëm ka pasur nevojë për “po”-në e njeriut, për “po”-në e një gruaje, që do të bëhej Nëna e Fjalës së tij të Mishëruar, Jezu Krishtit. E kjo Nënë, sa herë ka kërkuar mëshirën e Zotit në shpërblim të mëkateve të njerëzve:
“Mëshirë e jo drejtësi” është lutur Maria, duke e ditur se Biri i saj, Jezusi do ta dëgjonte me siguri, por edhe e vetëdijshme për nevojën e kthimit të zemrave të mëkatarëve. Për këtë fton në lutje e në pendesë”.
Vizita e Papës Benedikti XVI në Savonë bëhet gati 200 vjet pas vizitës së një pape në këtë qytet. I fundit ka qenë Papa Pio VII, i cili kaloi aty 3 vjet burg me vendim të Napoleonit. Në apartamentet ku mbahej, shihen akoma hekurat nga të cilat rojet e kontrollonin për ta penguar të mbante kontakte me botën, sidomos me ipeshkvijtë. Por Pio VII arriti të dërgonte letra edhe me ndihmën e shumë njerëzve, që i sillnin shporta me perime, qytetarë të Savonës të cilët i falenderoi sot Ati i Shenjtë. Në atë mënyrë, Pio VII arriti të shmangte rrezikun e emërimit të ipeshkvijve nga Napoleoni. Pio VII u kthye në Savonë në vitin 1815 për të kurorëzuar shtatoren e Zojës së Mëshirës dhe për ta falenderuar për lirimin e tij nga kthetrat e Napoleonit, i cili fillimisht u mor vesh me Papën për t’u bërë perandor, e më pas u përpoq ta zëvendësonte e ta pengonte të kryente funksionet e veta. Por ajo përvojë e tmerrshme ruan një mësim edhe për kohën tonë, theksoi sot Benedikti XVI:
“Ajo na mëson guximin për të përballuar sfidat e botës: materializmin, relativizmin, laicizmin, pa rënë kurrë në kompromis, të gatshëm për të paguar personalisht që të mbetemi besnikë ndaj Zotit e Kishës së tij”.
Më pas, Ati i Shenjtë, duke kujtuar sërish mënyrën se si e quan veten Zoti, u ndal në mjetet e Hirit të tij hyjnor, si mjete shpëtimi për njerëzimin. Ndër këto mjete shpëtimi, kujtoi para së gjithash lutjen: lutjen personale, familjare dhe komunitare. E pastaj lavdin, kundrimin e adhurimin:
“Mendoj për familjet e reja e dua t’i ftoj të mos kenë frikë të eksperimentojnë, që në vitet e para të martesës, një stil të thjeshtë lutjeje shtëpiake, të favorizuar nga prania e fëmijëve të vegjël, të cilët janë të prirur t’u drejtohen spontanisht Zotit e Zojës. U bëj thirrje famullive dhe shoqatave t’i lënë kohë e hapësirë lutjes, sepse aktivitetet janë të shterpëta nëse nuk paraprihen, shoqërohen e mbështeten nga urata”.
Por Zoti ka edhe mjete të tjera për të na dhënë Hirin e tij. Papa i përmend me radhë: mesha e së dielës, Sakrameti i Rrëfimit dhe i Pajtimit, veprat bamirëse, për të cilat theksoi:
“Në botën moderne, që shpesh e bën bukurinë dhe efikasitetin fizik një ideal për t’u ndjekur me çdo mënyrë, si të krishterë jemi të thirrur ta gjejmë fytyrën e Jezu Krishtit, “e më të bukurit ndër bijtë e njeriut”, pikërisht në personat që vuajnë e lihen mënjanë”.
Më këtë rast, Papa përshëndeti të burgosurit e Institutit penitenciar “Shën Agustini” të Savonës dhe të sëmurët e qytetit. Më pas iu drejtua meshtarëve, duke iu kujtuar se shërbimi i tyre është i çmuar në sytë e Zotit e vlera e tij nuk mund të shprehet me shifra e statistika. Rezultatet – tha Ati i Shenjtë – do t’i njohim vetëm në Parriz:
“Shkoni në kërkim të njerëzve, siç bënte Krishti Zot: gjatë vizitave në familje, në kontaktit me të sëmurët, në dialogun me të rinjtë, duke u bërë të pranishëm në çdi ambient pune e jete”.
Pasi i këshilloi meshtarët e rregulltarët të qëndrojnë të bashkuar me ipeshkvin e ndërmjet tyre, Papa Racinger u foli të rinjve, të pranishëm në masë edhe në shesh. I këshilloi të marrin vendime të guximshme për jetën e tyre, jo të vetëm, por me Zotin:
“Të ndjekësh Krishtin do të thotë gjithnjë të kesh guximin për të shkuar kundër rrymës. Por, ia vlen: kjo është rruga e realizimit të vërtetë personal e pra e lumturisë së vërtetë. Me Krishtin eksperimentohet në fakt, se “më i lum është ai që jep se ai që merr”. Ja përse ju inkurajoj ta merrni seriozisht idealin e shenjtërisë”.
E duke e shtrirë këtë këshillë për të gjithë, Papa Benedikti XVI ia besoi krejt popullsinë e Savonës, Zojës së Mëshirës, Pajtores së qytetit.
Po sot, Ati i Shenjtë shkoi në Gjenovë, ku nesër do të takohet me popullin e asaj zone. Një nga takimet më prekëse do të jetë pa dyshim ai me fëmijët e sëmurë të spitalit Gazlini, me famë ndërkombëtare për kurimin e sëmundjeve të rralla.







All the contents on this site are copyrighted ©.