2008-05-17 19:03:14

Papa uron që dashuria t’i nxisë të krishterët ta kumtojnë me çiltërsi e guxim të vërtetën që shëlbon, sepse njerëzit e presin Krishtin.


(17.05.2008 RV)“Mbetet akoma urgjent dhe i nevojshëm misioni për ungjillëzimin e njerëzimit”: këte theksoi sot Benedikti XVI, duke pritur pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Veprave Papnore Misionare, që vijon punimet në Romë.
Mbarë Kisha, për vetë natyrën e saj, është misionare e misioni u përket gjithë të krishterëve. Këtë pohoi me forcë Benedikti XVI, duke u nisur nga fjalët e Jezusit:
“Fjalët e Jezusit: “Shkoni, prandaj, e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar” (Mt 28, 19-20), përbëjnë akoma një mandat të detyrueshëm për të gjithë Kishën e për çdo njeri që beson në Krishtin. Ky impenjim apostolik është detyrë dhe e drejtë nga e cila nuk mund të hiqet dorë, si dhe shprehje e lirisë fetare, me përmasat përkatëse etiko-shoqërore dhe etiko-politike”.
Papa e fton çdo Kishë vendase të bashkëpunojë me Kishat e tjera në frontin e misionit, duke nënvizuar me forcë se 2000 vjet pas lindjes së Krishtit, shumica e njerëzimit pret akoma kumtimin e Ungjillit:
“Mbetet akoma urgjent dhe i nevojshëm misioni i ungjillëzimit të njerëzimit. Misioni është detyrë, së cilës duhet t’i përgjigjemi: “I mjeri unë në se nuk ungjillëzoj’ (Kor 9, 16). Shën Pali Apostull, të cilit Kisha i kushton një vit të posaçëm, në përkujtim të dymijëvjetorit të lindjes, e kuptoi, në rrugën e Damaskut e më pas e provoi gjatë shërbimit të tij të mëvonshëm, se shëlbimi e misioni janë vepra dashurie”.
Të gjithë duhet ta kenë të qartë: “Kush predikon Ungjillin, merr pjesë në dashurinë e Krishtit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.