2008-05-17 12:56:22

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Trinisë Shenjte. 'A'


(17.5.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të meshës së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës në të cilën Kisha e kremton festën e Trinisë Shenjte.
Të hënën e kaluar, pas solemnitetit të festës së Rrëshajëve, për kalendarin liturgjik të kishës, ka filluar Koha e Rregullt apo Koha gjatë Vitit të cilën do ta jetojmë deri të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, pra deri në fillimin e një vitit të ri kishtar, pra flasim gjithnjë për kohën liturgjike të kishës.
Siç thamë sot kremtojmë solemnitetin e të Shenjtenueshmës Trini, do të thotë kremtojmë Zotin ashtu siç Ai është, i vetmi Zot i vërtetë, që ka dashur të na dëftohet (shfaqet). Se Zoti është një, këtë mendja njerëzore e pati kuptuar e Zoti i qe dëftuar Abrahamit. E ne besojmë se Zoti është një i vetëm; është një Zot i vetëm i Qiellit e Tokës. Mirëpo nuk është vetmitar; Ai ka dashur të na dëftohet si Dashuri – Zoti është Dashuri – e Dashuria është marrëdhënie – relacion mes personave të gjallë. Atësia, birësia e dashuria e dhuruar dhe e shkëmbyer, janë shprehje me të cilat ne belbëzojmë duke u shpreh mbi misterin që na përfshinë, që na bënë pjesëtarë të tij e të në cilin mister ne e adhurojmë Zotin e vetëm Dashuri: Ati, Biri e Shpirti.
Leximi i parë nga libri i Daljes na flet për mëshirën e pakufishme dhe përdëllimin e Zotit ndaj popullit të tij. Hiri apo bekimi që Moisiu i kërkon Zotit është vetëm prania e tij hyjnore në mesin e Izraelit. “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutëm, udhëto me ne”.
Në leximin e dytë marrë nga Letra e dytë e shën Palit drejtuar Korinstasve, Apostulli u përkujton korintianëve e neve se frytet e shenjtërisë e të shpëtimit shpirtëror janë meritë e e dhuratë e Krishtit. Mes tjerash Shën Pali thotë se kushti pse Zoti i paqes e shoqëron me praninë e tij Kishën është ushtrimi i dashurisë dhe i bamirësisë në gëzim. Leximi i dytë është një thirrje për të jetuar të gjithë në gëzim, në paqe e në dashuri, sipas imitimit të Trinisë Shenjte.
Pjesën e Ungjillit të kësaj së diele marrë nga Shën Gjon, nënvizon në fjalët që Jezusi i drejton Nikomedit – dashurinë e lartë të Atit Qiellor e vlerën shpëtimpruese të veprës së Birit të Zotit, prej çka pastaj buron misioni shenjtërues i Shpirtit.
Në Ungjill do të dëgjojmë se si Zoti e dëgjon, se si Zoti e vështron kërkesën për të qenë në mesin e popullit të vet me Mishërimin e Fjalës Hyjnore. Prania hyjnore shkakton e nxit drejtësi e gjykim, që nuk është dënim, por shpëtim për atë që beson në Të.
Cdo i krishterë është i thirrur ta përjetojë, ta shijojë këtë përvojë pajtimi me Zotin, në Jezusin, ta njohë vetveten në fytyrën e Zotit bër njeri e ta jetojë në fe dashurinë e Zotit për ne. Tani ti dëgjojmë leximet biblike e pastaj komenin.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.