2008-05-17 19:02:31

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(17.05.2008 RV)17 maj: Zhan d’Ark. Vajza që iu nënshtrua një procesi shkandullues e të padrejtë
Princi Karl është krejt i çoroditur. Një bareshë e Domremisë, në krahinën frënge të Lorenës, dëshiron të flasë me të: ngul këmbë se ka marrë urdhër nga Kryeengjëlli Gabriel, që shoqërohej nga Shën Margerita e Shën Katerina. Baresha thotë se ka dëgjuar zërat e tyre. “E për më tepër” – thotë - shpjegon një shërbëtor i sovranit “ se dëshiron t’i flakë anglezët jashtë nga Franca e ta çlirojë vendin”.
“Moreeee, po kjo qenka fare e çmendur” – përgjigjet Karli. “Babai im, Karli VI, ia la kurorën nënës sime e mbretëresha Izabelë ia shiti fronin tonë anglezëve. Franca do të mbetet angleze përgjithmonë e jetës. E një bareshë po na dashka ta shpëtojë!”. Karli nuk e di në se duhet të tërbohet, apo të tallet.
“Do t’i punojmë një reng të bukur” – thotë Karli. “Unë do të fshihem ndërmjet zotërinjve, e ti do t’i tregosh njërin prej tyre, duke i thënë se jam unë”.
Por Zhana, sapo hyn në sallë, shkon drejt e tek Delfini1 , ndonëse nuk e ka parë, kurrë, e nuk denjohet t’ia hedhë as sytë princit të rremë, që shikon para vetes. Zotërinjtë, që ishin përgatitur të bënin një të qeshur të paharrueshme, mbetën pa gojë.
Po Zhana do të vijojë t’i çuditë. Jemi në vitin 1429 e vasha sapo i ka mbushur 16 vjetët. Nuk di shkrim as këndim e sigurisht që nuk duket fare si komandant gati për betejë. E megjithatë, pasi kurorëzon princin me emrin Karli VII, vihet në krye të ushtrisë. Duke ndjekur urdhërat që i japin ‘zërat’, i fiton betejat njëra pas tjetrës, çliron një sërë qytetesh dhe e shpartallon ushtrinë angleze, që dukej e pathyeshme. Por në vitin 1430 anglezët e kapin dhe formojnë një gjykatë me katolikë të ditur. Vendim dinak: ia dalin mbanesh ta akuzojnë si shtrigë. Karli nuk i del zot e shikohet me përçmim nga gjithë populli. Por gjatë procesit gjyqësor, që do të zgjasë më se tre muaj, e akuzuara i lë pa mend gjykatësit me përgjigjet e saj të urta. Kryegjykatësi, ipeshkvi i Koshonit, një tradhtar i shitur prej kohe tek anglezët, tërbohet nga inati. Në mungesë të provave, e pandehura akuzohet se është veshur tebdil me rroba mashkulli. Po Zhana mbrohet: “Këto veshje nuk e ndryshojnë shpirtin tim e Kisha nuk e kundërshton veshjen e vajzës me rroba djali”.
Gjithsesi, për të treguar vullnetin e saj të mirë, pranon të vishet si vajzë. Atëherë ipeshkvi shpik një marifet tjetër për ta bërë të ndërrojë mendje: i vë disa roje burgu, që duan të përfitojnë nga pafajsia e saj e kështu Zhana detyrohet të vishet rishtas si burrë, për t’u mbrojtur. Dënohet me djegie mbi turrën e druve vetëm për këtë faj! Vdes më 30 maj 1431 duke brohoritur, ndërmjet flakëve, emrin e shenjtë të Jezusit!
Në vitin 1456 Kisha pranon se gjyqi kundër Zhan D’Ark ishte shkandullues e i padrejtë. _______


1 Delfini – trashëgimtari i fronit të mbretit







All the contents on this site are copyrighted ©.