2008-05-16 17:38:46

Junta ushtarake në Mianmar i kthen njerëzit në gërmadha për referendumin


(16.05.2008 RV)Konfirmohen rastet me kolerë në Mianmar, por Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se nuk kemi të bëjmë me epidemi. Ekziston gjithsesi një shqetësim i përhapur për 2,5 milion të mbijetuarit nga cikloni Nargis, që kanë nevojë për ndihmë. Bilanci zyrtar i viktimave është ndalur në gati 38.500 vetë, por të dhënat e Kryqit të Kuq flasin për rreth 128 mijë vetë. Autoritetet lokale po detyrojnë njerëzit të kthehen në shtëpitë e shkatërruara, pasi javën që vjen, edhe në zonat e goditura nga cikloni do të mbahet referendumi për Kushtetutën, që u mbajt në krejt pjesën tjetër të vendit. Junta ushtarake kërkon kështu konfirmimin e pushtetit të saj edhe aty ku njerëzit janë të dëshpëruar, jo vetëm për humbjen e të dashurve e të shtëpive, por edhe për çmimet e larta e për mungesën e ushqimeve. Ka lajme për vjedhje e plaçkitje.







All the contents on this site are copyrighted ©.