2008-05-16 17:47:26

Fillon nesër vizita baritore e Papës në Savonë e në Gjenovë: intervistë me kardinalin Banjasko.


(16.05.2008 RV)Nesër Ati i Shenjtë do të fillojë vizitën e tij baritore në Savonë e në Gjenovë. Është udhëtimi i nëntë apostolik i Benediktit XVI në dioqezat italiane. Papa do të niset nesër pasdite, 17 maj, për në Savonë. Këtu do të vizitojë Shenjtëroren e Zojës së Mëshirës e do të kryesojë Meshën Shenjte në Sheshin e Popullit.
Në mbrëmje do të jetë në Gjenovë, ku të dielën paradite do të takohet me mjekët dhe fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik Gazlini. Gjithnjë paradite, takimi me të rinjtë në Sheshin Mateoti, ku do të kremtojë edhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pasdite do të kryesojë Meshën në Sheshin e Fitores të Gjenovës. Në mbrëmje, kthimi në Vatikan.
Të dielën paradite veprimtaria e parë e Benediktit XVI do të jetë vizita në Shenjtëroren e Zojës së Rojës. Por, ç’përfaqëson ky vend i shenjtë për gjenovezët? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Angjelo Banjasko:

Përgjigje: - Për Gjenovën e pjesërisht edhe për të gjithë Ligurien, Shenjtërorja e Zojës së Rojës është vend lutjeje, devocioni, historie, feje. Nga kjo shenjtërore, ndërtuar mbi malin Vigonja, shihet gjithë Gjenova, prandaj qyteti e ndjen veten të mbrojtur, të ruajtur e të bekuar nga Nëna e Zotit. Duke e nisur këtu vizitën, Papa bashkohet drejtpërdrejtë me devocionin tonë.

Pyetje: - Me rëndësi edhe vizita në spitalin pediatrik Gjanina Gazlini, vend ku ndeshesh me vuajtjen e fëmijëve, por njëkohësisht edhe me përparimin e përditshëm të kërkimit shkencor, në përpjekjen për ta mposhtur sëmundjen e vuajtjen…

Përgjigje: - Përpiqemi në të gjitha mënyrat që të bëhet shenjtërore e jetës: e jetës që del në dritë, e jetës së pambrojtur, jetës së foshnjave. Prandaj e vlerësojmë shumë e i jemi mirënjohës Atit të Shenjtë që po e vlerëson, si ne. Kjo vizitë do të jetë ngushëllim dhe inkurajim si për fëmijët e për familjet e tyre, ashtu edhe për personelin. Dëshirojmë që Papa të na lerë një kujtim të dyfishtë – e për këtë po impenjohet dioqeza – dmth, fuqizimin e qendrës së ndihmës për mbrojtjen e jetës dhe hapjen e një shtëpie pritjeje për vajzat nëna e për fëmijët e braktisur. Kjo do t’u kujtojë të gjithëve për një kohë të gjatë, se këtu ka kaluar Ati i Shenjtë.

Pyetje: - Dioqeza e Gjenovës i ka dhënë Kishës katër papë, ndërmjet të cilëve, Benediktin XV, që u përpoq aq shumë për ta shmangur Luftën I Botërore e pastaj, për t’i lehtësuar pasojat e saj. Jozef Racinger deshi të quhej Benedikt edhe pse shpirtërisht i lidhur me këtë Papë. Cili është mesazhi i Benediktit XV për botën e sotme?

Përgjigje: - Sigurisht që, si nga magjisteri, ashtu edhe nga vetë personi i tij, buron mesazhi i madh i drejtësisë dhe i dashurisë, pa të cilat nuk mund të ketë paqe të vërtetë në familje e as në botë. Është pikërisht ky mesazh që i lidh shpirtërisht Benediktin XV e Benediktin XVI.

Pyetje: - Dy fjalë, së fundi, edhe për takimin me të rinjtë?

Përgjigje: - Të rinjtë ndjehen posaçërisht të tërhequr nga Ati i Shenjtë, pikërisht sepse Papa nuk bën asnjë lëshim kur është fjala për të mbrojtur të vërtetat e Ungjillit. Të rinjtë e ndjejnë edhe se mesazhi ungjillor i Papës është i lartë e impenjativ, por janë të sigurtë se ia vlen të jetohet, edhe me fljime, sepse është rruga që të çon drejt lumturisë së vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.