365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botë
(16.05.2008 RV)16 maj: Fra Angjeliko
që lutej me penel. Në kuvendin e Shën Markut në Firence mbretëron një heshtje
e thellë. Vetëm në katin e parë, përballë shkallës që nis nga kiostri, shihet një
rregulltar, i cili lutet në një mënyrë krejt të pazakontë: me penel. Afresku që po
përfundon së pikturuari mbi mur, paraqet Lajmërimin e Zojës së Bekuar. Engjëlli Gabriel
gjunjëzohet para Virgjrës Mari dhe e pyet në se pranon të bëhet Nëna e Zotit. Rregulltari
quhet Gjon: është emri që mori kur hyri ndër domenikanë aty rreth vitit 1420. Më përpara
quhej Guido di Piero. Ndërsa pas vdekjes, disa vjet më vonë, e pikërisht në vitin
1455, do ta quanin me një emër tjetër: Fra Angjeliko – Vëllau Engjëllor, sepse pikturonte
tamam si të ishte engjëll. Tani për tani pikturon Kryeengjëllin Gabriel, duke pëshpëritur
lehtë me vete përshëndetjen e mrekullueshme drejtuar Marisë: “Të falem, Mari, Hirëplote,
Zoti është me ty!”. Kur pikturon ndonjë skenë nga Ungjilli, vëlla Engjëllorit i duket
se merr pjesë edhe vetë në ngjarjen, që lind dalë-nga-dalë nga peneli. E mediton thellë
çdo afresk: para, gjatë e pas pikturimit. Prandaj mund të themi se punimet e tij janë
lutje të shprehura me ngjyra. Papritmas vëlla Engjëllori ndjen një zhurmë të lehtë
pas shpine. Kthehet e nis të qeshë. Shikon një sivëlla, që ndjek me gojë hapur lëvizjen
e penelit. Shtjefni nuk e humbet rastin për t’i bërë një pyetje. Deshi t’ia bënte
sapo arriti, por kur pa se rregulltari po pikturonte sytë e engjëllit, vendosi të
mos e trazonte. Të pikturosh shikimin e engjëllit nuk është punë do si do. Posaçërisht
kur bëhet fjalë për vështrimin e thellë e plot respekt të Gabrielit, që i flet Marisë.
Si i kalon sadopak magjepsja që buron nga sytë e Kryeengjëllit, Shtjefni merr guxim
e i bën piktorit pyetjen e përvujtë: “Vëlla Gjon, a është e vërtetë se do t’i hijeshosh
të gjitha dhomat tona?”. “Nuk mund të them se do t’i hijeshoj, sepse kjo nuk është
fjala e duhur. Ajo që mendoj të bëj, është të pikturoj nga një afresk në çdo qeli.
Në secilin do të paraqes një skenë nga Ungjilli: lindjen e Jezusit, mundimet, ngjalljen…
e kështu me radhë. E kur ta kryej afreskun, në një skaj të tij, do të pikturoj përherë
një domenikan, për ta ftuar kështu vëllaun i cili jeton në atë qeli, të hyjë në skenë
e ta meditojë Ngjyrat do të jenë të lehta, si këto me të cilat po pikturoj Lajmërimin
e Zojës. Nuk do ta përdor fare arin, siç bëj kur zbukuroj kishat e Firences. Vëllezërit
tanë nuk kanë nevojë për ar, që të mund të luten.” “Ke plotësisht të drejtë, vëlla.
Sa më i thjeshtë të jetë arti, aq më i bukur është!”.Sot domenikanët nuk banojnë më
në kuvendin e Shën Markut e kushdo mund ta vizitojë e të kënaqet, si Shtjefni, me
afresket e mrekullueshme të të Lumit Fra Angjeliko.