2008-05-15 17:29:43

Papa Këshillit Papnor për emigrantët: edhe familja që emigron duhet mbrojtur më guxim e dashuri.


(15.05.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve dhe endacakëve, kryesuar nga kryetari i dikasterit, kardinali Renato Rafaele Martino, Papa bëri thirrje të krijohen kushtet e përshtatshme për bashkimin e familjeve të emigrantëve. Përsëriti edhe porosinë të dialogohet me njerëzit e larguar nga vatrat e tyre dhe të mirëpriten me dashuri, sidomos kur kanë nevojë. Të gjitha këto tema – shpjegoi Papa – u kujtuan edhe gjatë shtegtimit apostolik në SHBA. Benedikti XVI përsëriti se Kisha është gati të ndihmojë jo vetëm emigrantin, por edhe familjen e tij, duke e parë si bashkësi dashurie e faktor integrimi, sepse prehëri i prindërve është shkolla e parë e fëmijës. Në atë prehër rriten e edukohen breznitë e reja, që janë ardhmëria e botës:
“Nuk duhet harruar se familja, edhe ajo emigrante e endacake, përbën qelizën bazë të shoqërisë, që nuk duhet shkatërruar, por duhet mbrojtur me guxim e duresë. Ajo është bashkësia ku njeriu edukohet që në moshë të njomë ta adhurojë e ta dojë Zotin, duke nxënë gramatikën e vlerave njerëzore e morale e duke mësuar ta përdorë mirë lirinë në vërtetësi”.
Papa vijoi të shpjegonte se në botën e sotme të globalizuar, lëvizja e njerëzve është një front shumë i rëndësishëm për ungjillëzimin e ri. Më pas ripohoi se detyra për t’i mirëpritur emigrantët dhe nevojtarët i ka rrënjët thellë në Ungjillin e Krishtit:
“Në veprimtarinë e saj të mirëpritjes e të dialogut me emigrantët dhe endacakët, bashkësia e krishterë duhet të ketë si model vetë Krishtin, Zotin tonë. Ai u la nxënësve të vet një rregull të artë, që i shërben secilit si bazë për të ndërtuar mbi të jetën e vet: urdhërimin e dashurisë”.
Më pas Papa u ndalua tek vlera e punës baritore me familjen në gjirin e emigrantëve, që duhet të gjejnë në Eukaristi mbështetjen kryesore:
Kush shkon në Meshë – e duhet lehtësuar kremtimi edhe për emigrantët e endacakët - gjen në Eukaristi familjen që i mungon, pikëmbështetjen për ta mbrojtur martesën dhe guximin për ta parë gjendjen e tij në perspektivën e fesë, duke kërkuar, në hirin hyjnor, forcën e nevojshme për t’i kapërcyer të gjitha pengesat”.
Kardinali Renato Rafaele Martino, nga ana e tij, i nxiti të gjithë besimtarët t’i mikpresin me dashuri emigrantët e nevojtarët, duke ripohuar se familja dhe dinjiteti i çdo njeriu duhet të jenë në qendër të vëmendjes në çdo bashkësi njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.