2008-05-15 17:30:20

Benedikti XVI Virgjërave të përkushtuara, mbledhur në Romë për Kongresin-Shtegtim të Urdhërit të Virgjërave: “Yje për të orientuar botën”.


(15.05.2008 RV)“Yje për të ndriçuar rrugën e botës”: kështu i quajti Benedikti XVI virgjrat e përkushtuara, mbledhur në Romë për të marrë pjesë në Kongresin-Shtegtim ndërkombëtar të Ordo Virginum (Urdhërit të Virgjrave), me temë: ‘Virgjëria e përkushtuar në botë.
Rreth 500 virgjra të përkushtuara u pritën sot nga Papa në Sallën Klementine, të shoqëruara nga kardinali Franc Rodé, prefket i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Kanë ardhur nga 52 vende të ndryshme, së bashku me disa ipeshkvij delegatë, si përfaqësuese të mijëra simotrave, që e jetojnë në përvujtëri e thjeshtësi, thirrjen e tyre si virgjra të përkushtuara në botë, “Dhuratë në Kishë e për Kishën”, siç e quajti Benedikti XVI:
“Parë në këtë dritë, dëshiroj t’ju përfocoj në thirrjen tuaj e t’ju ftoj ta thelloni ditë për ditë kuptimin e një karizme, sa të ndritshme e fekonde për sytë e Kishës, aq të errët e të kotë për sytë e botës”.
Urdhëri i Virgjrave, shprehje e jetës së përkushtuar, që rifilloi lulëzimin në Kishë pas Koncilit II të Vatikanit, nis që në zanafillën e jetës ungjillore kur, me një frymë të re e të padëgjuar ndonjëherë – kujtoi Ati i Shenjtë – disa gra shprehën dëshirën t’ia dhurojnë Hyjit krejt vetveten, ashtu si Virgjëra e Nazaretit. Kjo karizmë nuk kërkon rregulla të veçanta jetese. Përkundrazi, virgjrat e përkushtuara vijojnë jetën e tyre të zakonshme. Rruga e tyre, në dukje, nuk ka asnjë karakteristikë të jetës rregulltare, përveç bindjes – vijoi të shpjegonte Papa – e, sidomos, ndjekjes së këshillave ungjillore, për ta ruajtur të paprekur besnikërinë ndaj Krishtit. Duke e vlerësuar shumë këtë mënyrë jetese, në përfundim Benedikti XVI theksoi:
“Kështu, me jetën tuaj të drejtë, ju mund të jeni yje që orientojnë ecjen e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.