Vdiq dje në Paris kardinali beninez Gantin. Ngushëllimet e Papës.
(14.05.2008 RV)Dje, në një spital të Parisit, ndërroi jetë kardinali Bernardin
Gantin, beninez, prefekt nderi i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kryetar nderi i Komisionit
për Amerikën Latine dhe dekan nderi i Kolegjit kardinalor. Ishte 86 vjeç. Në telegramin
e ngushëllimit, Papa shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e kardinalit Gantin i cili
– pohon Shenjtëria e Tij – i shërbeu Kishës me një frymë thellësisht apostolike,
duke pasur mirë parasysh misionin e saj në mbarë botën.I lindur në Tofo të Beninit,
më 1922, kardinali Gantin u shugurua meshtar më 1951; ipeshkëv më 1956, ndërsa kardinal
u krijua në Koncistorin e 27 qershorit 1977 nga Papa Pali VI. Mori pjesë në punimet
e Koncilit II të Vatikanit dhe shërbeu për dhjetë vjet me radhë si Dekan i Kolegjit
Kardinalor. Me vdekjen e tij, ky Kolegj numron 194 kardinaj, 118 nga të cilët me të
drejtë zgjedhore.