2008-05-14 19:09:16

Tërmeti në Kinë: mëse 15 mijë viktima. Dëshmia e një të riu katolik


(14.05.2008 RV)RealAudioMP3 Gjithnjë e më i rëndë bilanci i viktimave të tërmetit në provincën kineze të Sishuanit. Sipas lajmeve të fundit, mëse 14 mijë vetë kanë humbur jetën, rreth 26 mijë të tjerë ndodhen nën gërmadha, ndërsa të plagosurit janë mëse 65 mijë.
Për t’i bërë ballë katastrofës, qeveria e Pekinit ka mobilizuar 100 mijë ushtarë. Në zonat që nuk arrihen me makina, ushqimet dhe ilaçet hidhen me helikopter. Popullsia e zonës, që nuk është goditur nga tërmeti, po mundohet të ndihmojë me sa mundet njerëzit që kanë mbetur pa shtëpi. Kush me biçikletë e kush në këmbë u afrohet qendrave të grumbullimit për të lënë aty qese me veshje, ushqime e ilaçe. Shumë shpresojnë që qeveria të lejojë ardhjen e personelit të huaj për të ndihmuar në lehtësimin e gjendjes. Edhe Kisha katolike në Kinë ka pasur dëme. Të dëgjojmë dëshminë e Kevin San, i ri katolik, bashkëpunëtor i agjensisë Ukanjus:
Gjendja është me të vërtetë e tmerrshme, sepse qendra e këtij tërmeti është në dioqezën katolike të Çengdusë. Për sa dimë deri tani, të paktën katër kisha janë shkatërruar krejtësisht, duke përfshirë edhe dy kisha antike shumë të bukura.
Në përfundim të audiencës së përgjithshme Papa Benedikti XVI siguroi se do të lutet për ju dhe kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për popullsinë e goditur nga tërmeti…
Jam i lumtur dhe i mallëngjyer edhe për atë çka tha Papa. Di se ka shumë njerëz në Vatikan, që shqetësohen për këtë katastrofë në Kinë. Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj, për lutjen tuaj, për ndihmën tuaj shpirtërore dhe financiare. Si për njerëzit që vuajnë, ashtu edhe për Kishën lokale.







All the contents on this site are copyrighted ©.