2008-05-14 19:16:40

Presidenti Bush sulmon ashpër hezbollahët nga Jeruzalemi: po shkatërrojnë Libanin


(14.05.2008 RV)Eta, organizata terroriste baske, godet sërish në Spanjë. Vetëm dy muaj pas vrasjes së socialistit Karrasko, një autobombë shpërtheu gjatë natës së djeshme pranë kazermës së gardës civile në Legutiano, duke shkaktuar vdekjen e një agjenti dhe plagosjen e katër të tjerëve.

Një delegacion i nivelit të lartë të Lidhjes Arabe mbërriti sot në Bejrut, në përpjekjen për të ndërmjetësuar mes fraksioneve të ndryshme politike të Libanit. Qëllimi është të arrihet marrëveshja për zgjedhjen e presidentit të Republikës, mungesa e së cilës ka çuar deri në ndeshjet me armë, që ditëve të kaluara shkaktuan 81 viktima.
Çështja e Libanit është biseduar edhe në takimin ndërmjet presidentit izraelit Shimon Peres dhe atij amerikan Xhorxh Bush në Jeruzalem. Sipas Peres, hezbollahët thjesht po shkatërrojnë vendin, gjë që është shqetësuese për krejt shtetet në zonë. Edhe në takimin me kryeministrin Olmert, Bush sulmoi ashpër lëvizjen Hezbollah dhe deklaroi se SHBA-të mbështesin me forcë qeverinë e kryeministrit Fuad Siniora.

Izraeli kremtoi sot 60-vjetorin e themelimit në praninë e 13 krerëve shtetesh e qeverish, ndër të cilët pra edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush. Filloi kështu konferenca e organizuar nga presidenti izraelit Shimon Peres, ku marrin pjesë mijëra politikanë, intelektualë, shkencëtarë, shkrimtarë e filozofë. Do të flitet për të ardhmen e Izraelit, për Lindjen e Mesme, por edhe për tema që kanë të bëjnë me botën mbarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.