2008-05-13 18:30:22

Katastrofë nga tërmeti në Kinë: mëse 12 mijë viktima


(13.05.2008 RV)Merr përmasat e një katastrofe gjendja pas tërmetit që goditi provincën kineze të Sishuanit. Bilanci i fundit flet për 12 mijë viktima, por llogaritet se së paku 18 mijë vetë ndodhen nën gërmadhat e shtëpive të shkatërruara, vetëm në qytetin e Mianjangut. Është e qartë se numri i viktimave do të rritet. Koha e keqe po ngadalëson arritjen e ndihmave në zonë. Pavarësisht nga rëndësia e madhe që i ka dhënë, qeveria e Pekinit ka vendosur të reduktojë programin e kalimit të Flakës Olimpike në Kinë, për të favorizuar përpjekjen në ndihmë të popullsisë së dëmtuar nga tërmeti. Nga 900 nxënësit, që përfunduan poshtë gërmadhave të shkollës së tyre në Duzhijangjan, vetëm 50 dolën të gjallë. Edhe sot, ka pasur lëkundje të tokës, më e forta prej të cilave ka arritur në 6 gradë të shkallës Rihter.
Ndërkaq, Kina falenderoi për ofertat ndërkombëtare të ndihmës, të cilat i pranon, por saktësoi se nuk është akoma koha për të lejuar hyrjen e skuadrave të huaja në zonat e tërmetit. “Në këtë moment – shpjegoi përgjegjësi i Mbrojtjes Civile – transportet janë bllokuar e kalimi është i pamundur edhe për tanët”.
Por është ndihma afatgjatë ajo që nuk duhet të mungojë, siç shpjegoi ipeshkvi i Hong-Kongut, kardinali Çen Zhë-Qyn, i cili ndodhet në Itali. Kardinali u bëri thirrje për ndihmë popullsisë katolike, Karitasit dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, por sqaroi edhe se vështirësitë më të mëdha do të hasen në rindërtimin e zonës së goditur nga tërmeti, prandaj gjendja nuk duhet harruar e ndihmat duhet të vazhdojnë në kohë. Ai siguroi lutjen e katolikëve të Hong-Kongut për popullsinë e Sishuanit në Kinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.