2008-05-13 17:52:35

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(13.05.2008 RV)RealAudioMP3 13 maj: Vinçenc Ferrer, predikatari që të kthen në rrugën e Zotit
Ndërmjet turmës, grumbulluar para kapelëzës bretone, një noter nis të nevrikoset:
“Mjaft tani! S’kemi ardhur këtu për të qeshur! Predikimi është gjë tepër serioze!”.
“Mos u shqetëso kaq shumë miku im. Vinçenci nuk është shenjt i trishtuar. E bën popullin të qeshë, për ta mësuar më lehtë e më mirë”.
Noteri kthen kokën nga fqinji që u përgjigj…. I duket i çuditshëm. Ka një shqiptim të tillë, që e siguron se nuk është vendas.
“E kush je ti, që na e ditke ç’ dëshiron e ç’nuk dëshiron Vinçenci?”- i përgjigjet edhe më i acaruar noteri.
“Unë e njoh dhe e di ç’ndjejnë ata që shkojnë për ta dëgjuar. Që kur nisi të shtegtojë, pesëmbëdhjetë vjet më parë, e kam ndjekur hap pas hapi…”.
E kur ngjarja arrin në këtë pikë, dy burrat ia nisin një bisede të gjatë para kapelëzës. Është hera e parë që noteri dëgjon të flitet për Vinçenc Ferrerin; domenikan katalan, rreth të gjashtëdhjetave, lindur në vitin 1349. Duket se i huaji di shumë gjëra për predikatarin e famshëm.
“Kur e takova për herë të parë Vinçencin, isha i çalë e, falë lutjes së tij, u shërova. E që kur nisa të ec përsëri, e ndjeki pas kudo…”.
“Po ç’gjë të jashtëzakonshme ka ky njeri?”.
“Vinçenci është predikatar i jashtëzakonshëm. Ka përshkuar tashmë mbarë Evropën. Kudo predikon fundin e kësaj bote e lindjen e një bote të re, vërtetë të krishterë. Ka qenë këshilltar e rrëfyes i Papës Benedikti XIII, kur pati një vegim: pa Shën Françeskun e Shën Dedën, që e këshilluan të bëhej predikatar. Atëherë Vinçenci la Avinjonin e nisi shtegtimin pa fund. Gjatë këtij shtegtimi e takova, më shëroi e na bëri të gjithëve të krishterë”.
“Të gjithëve? Do me thënë jeni një grup?”.
“Po, jemi një grup hebrenjsh, që Vinçenci i ktheu me predikimet e tij. Ndoshta ju ju duket e pabesueshme, po kudo që shkon, Vinçenci predikon në gjuhën e tij amtare e, megjithatë, njerëzve që e dëgjojnë, u duket se po u flet në gjuhë të tyre. Edhe ju që jeni breton, e dëgjoni duke folur në gjuhën bretone, apo jo?”.
“Sigurisht! Pse ju jo?”.“Jo, natyrisht jo” qesh i huaji. “Unë nuk jam breton. Unë e dëgjoj Vinçencin duke folur në gjuhën time. A ju kujtohen Apostujt në kohën e Rrëshajve? Gjithë të pranishmit e merrnin vesh atë që u thuhej. Hebrenjtë e paganët e të gjitha viseve, i kuptonin fare mirë Apostujt, që u drejtoheshin për t’i kthyer në fenë e Krishtit. Edhe unë isha hebre. E një apostull i kohës sime më bindi të bëhem i krishterë, duke më folur në gjuhën time, duke iu drejtuar zemrës sime. Ky apostull është Vinçenci…”.







All the contents on this site are copyrighted ©.