2008-05-12 18:32:21

Papa ambasadorit të ri të Shtetit hebraik: respekt, nderim e bashkëpunim ndërmjet Selisë së Shenjtë e Izraelit.


(12.05.2008 RV)Sot paradite, duke pritur ambasadorin e ri izraelit pranë Selisë së Shenjtë, Mordekai Levi, për paraqitjen e letrave kredenciale, në prag të kremtimit, më 14 maj – të 60-vjetorit të themelimit të shtetit të Izraelit, Benedikti XVI uroi një ardhmëri gjithnjë më të mirë për Shtetin hebraik, në paqe me palestinezët.
Falënderoi Hyjin Ati i Shenjtë, duke kujtuar realizimin e dëshirave të popullit hebraik për të pasur një shtëpi në trojet e etërve e duke shpresuar – shtoi Papa – se së shpejti do të kemi edhe gëzimin e zgjidhjes së konfliktit me palestinezët dhe arritjen e një paqeje të drejtë. Papa kujtoi lidhjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Izraelit 15 vjet më parë dhe nënvizoi dëshirën e vijimit të tyre në frymën e respektit, të nderimit e të bashkëpunimit. Benedikti XVI shprehu edhe bindjen se trashëgimia judeo-kristiane duhet t’u prijë të dyja palëve në promovimin e formave të ndryshme të veprimtarisë shoqërore e humanitare, duke luftuar të gjitha format e diskriminimit racor.
Benedikti XVI e siguroi diplomatin se Selia e Shenjtë e njeh nevojën për sigurimin dhe vetëmbrojtjen e Izraelit, duke dënuar të gjitha format e antisemitizmit. Por njëkohësisht kërkon edhe që të gjithë popujt të kenë të drejtën për të gëzuar mundësi të barabarta zhvillimi. Prej këndej, thirrja urgjente drejtuar qeverisë izraelite që të bëjë çdo përpjekje të mundshme për të lehtësuar vuajtjet e bashkësisë palestineze, duke i dhënë lirinë e nevojshme për t’u marrë me problemet e veta të ligjshme, përfshirë këtu edhe të drejtën për të shtegtuar në vendet e kultit, në mënyrë që edhe palestinezët të gëzojnë paqe e siguri. Sigurisht – sqaroi Benedikti XVI – këto argumente mund të përballohen vetëm në kontekstin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Prej këndej, Papa uroi të mos humbasin shpresat që kanë lindur nga takimi i rangut të lartë, mbajtur në Anapolis. E, përsa u përket popujve të Tokës Shenjte – ripohoi Shenjtëria e Tij - në se do të jetojnë në paqe e harmoni, në dy shtete të pavarura e sovrane, dobia për paqen botërore do të jetë e paçmuar.
Më pas Benedikti XVI vijoi të flasë për pakësimin alarmant të popullsisë së krishterë në Tokën Shenjte, që vijon emigrimin nga Lindja e Mesme, duke i kujtuar Qeverisë izraelite se duhet të ndërhyjë edhe për të zgjidhur paqartësitë e vazhdueshme, lidhur me të drejtat e tyre dhe statusin ligjor e, posaçërisht, problemin e vizave të personelit kishtar. Janë probleme të mprehta, që u shkatojnë vuajtje të rënda e të përditshme të krishterëveNë përfundim Papa uroi që të kapërcehen të gjitha problemet akoma të pazgjidhura ekonomike e fiskale ndërmjet Selisë së Shenjtë e shtetit të Izraelit, në mënyrë që Kisha të jetë në gjendje ta zhvillojë me sukses misionin e saj fetar, edukativ, moral e bamirës, në tokën ku ka lindur.







All the contents on this site are copyrighted ©.