2008-05-12 16:19:08

Në Serbi fitojnë europeistët, por Tadiç nuk krijon dot i vetëm qeverinë


(12.05.2008 RV). Pas fitores së partisë filoperëndimore të Boris Tadiqit në zgjedhjet e djeshme në Serbi, Brukseli deklaron se do të japë „tërë mbështetjen e vet“ në procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropjan. Në Kosovë janë të kënaqur por edhe të matur për fitoren e Tadiqit. Presidenti Sejdiu përshëndeti vendimin e Shefit të UNMIK ut për anulimin zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha përshëndeti rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Serbi, si një zhvillim shumë të rëndësishëm për Serbinë dhe mbarë rajonin.
Pra, fitojnë europeistët e presidentit Boris Tadiç në Serbi, megjithëse rezultati zyrtar do të njoftohet vetëm më 15 maj. Nga sa lajmëron qendra demoskopike e pavarur Çesid, koalicioni “Për një Serbi evropiane” ka marrë rreth 39% të votave, ndërsa 29% kanë shkuar për Partinë Radikale të Tomislav Nikoliqit. Pothuaj është zhdukur Partia Demokratike e Vojisllav Koshtunicës, e cila gjithsesi duhet ta ketë kapërcyer pragun e 5%-it për të hyrë në parlament. Bashkimi Evropian dhe SHBA-të shprehën kënaqësinë për fitoren e të moderuarve dhe deklaruan gatishmërinë e tyre për të ndihmuar popullin serb.
Tadiç pra fiton, por nuk është në gjendje të krijojë i vetëm qeverinë. Gjithçka do të varet nga aleancat me partitë më të vogla, duke filluar nga socialistët e mbetur jetimë, pas vdekjes së Millosheviçit. Ata kanë deklauar se mund të bëhen aleatë të çdo lloj force, por natyrisht nëse hyjnë në koalicion me Tadiçin, duhet të respektojnë programin e tij europeist. Shumë vëzhgues dyshojnë për këtë e madje ndonjëri, në mënyrë figurative, është shprehur se Millosheviçi po qesh nga varri, kur sheh se përkrahësit e tij, që shkatërruan vendin po kthehen tani në pushtet, madje me kërkesën e fitimtarëve.
Në deklaratën e tij të parë pas zgjedhjeve, Tadiç tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kanë votuar dje edhe serbët e zonës së Mitrovicës dhe të enklavave të tjera, por OKB-ja ka deklaruar se ky votim është i paligjshëm dhe nuk do të njihet. Gjithsesi, në ndryshim nga Serbia, këtu pjesëmarrja në votime ka qenë e madhe dhe votat janë dhënë kryesisht për radikalët e Nikoliqit.







All the contents on this site are copyrighted ©.