2008-05-12 16:24:48

Kisha pranë popullsisë së Mianmarit, të goditur nga cikloni Nargis


(12.05.2008 RV)Vazhdon gjendja e vështirë në Mianmar (ish-Birmani), pas kalimit të ciklonit Nargis. Sot mbërriti avioni i parë amerikan me ndihma për popullsinë, të cilat do të shpërndahen nga ushtria. Kjo e fundit kontrollon ndarjen e të gjitha ndihmave që vijnë nga jashtë. Gjendja në vend nuk e pengoi juntën ushtarake të zhvillojë të shtunën në pjesën e vendit të pagoditur nga cikloni, referendumin për Kushtetutën, që i jep asaj fuqi të plota, duke e quajtur sot një sukses të jashtëzakonshëm. Ka ndryshuar edhe bilanci i viktimave. Sipas Zyrës së OKB-së për koordinimin e ndihmave humanitare numri i të vdekurve mund të ndryshojë nga 63.290 në 101.682, ndërsa 220 mijë vetë konsiderohen të zhdukur.
Nesër mblidhen në Bruksel, ministrat e Bashkimit Evropian për të diskutuar pikërisht mbi gjendjen në Mianmar dhe për të vendosur rritjen e ndihmave për popullsinë e vendit. Sipas Programit Ushqimor Botëror, kanë nevojë për ndihma rreth 1 milion e 500 mijë vetë, por deri tani ato mbulojnë vetëm 20% të nevojave. Dje, një anije me ndihma u mbyt në lumin Irrauadi.
Ndërkaq, ndodhet në Mianmar legati apostolik i Papës Benedikti XVI i cili vizitoi sot zonat e dëmtuara nga cikloni dhe i çoi popullsisë mesazhin e Atit të Shenjtë. Kryeipeshkvi Salvatore Penakio ka kremtuar edhe një Meshë sëbashku me klerin vendas në kryeqytet. Kisha e Mianmarit ka krijuar një Komision të posaçëm për t’i bërë ballë situatës. Nën drejtimin e Kryedioqezës së Jangunit, ai po punon për të ndihmuar rreth 60 mijë familje me racione javore ushqimesh e uji, me dezinfektimin e ujit të pijshëm, me shpërndarjen e materialeve të nevojshme dhe ilaçeve në 8 zonat më të shkatërruara.







All the contents on this site are copyrighted ©.