2008-05-12 18:31:55

Ipeshkvijtë hungarezë përfundojnë vizitën ‘ad Limina’


(12.05.2008 RV)Benedikti XVI priti sot një grup tjetër ipeshkvijsh hungarezë, në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina’, vizitë që filloi më 5 maj. Fjalimin përfundimtar të vizitës, Papa ua drejtoi prelatëve të shtunën e kaluar.
Afrohet kështu dita kur në Vatikan do të arrijnë për vizitë ‘ad Limina, Prelatët e Konferencës Ipeshkvnore katolike të Shqipërisë. Vizita do të fillojë më 19 e do të zgjasë deri më 25 maj. Është vizita e tyre e dytë ‘ad Limina’ pas diktaturës. Kujtojmë se prelatët e Shqipërisë ishin në Romë për vizitën e parë ‘ad Limina Apostolorum’ më 2 deri më 4 shkurt të vitit 2001. Asokohe u takuan me Papën Gjon Pali II. Tani i pret Benedikti XVI.
Gjatë qëndrimit të tyre në Romë, ipeshkvijtë do të marrin pjesë në një takim, organizuar nga Migrantes (Fondacion i Konferencës Episkopale Italiane). Takimi, me temë: “Raport për objektivat e realizuara dhe programimin e veprimtarive të reja baritore me emigrantët shqiptarë në Itali”, do të mbahet më 22 maj.Më pas, një festë emocionuese: e gjithë Konferenca Ipeshkvnore katolike e Shqipërisë do të jetë e pranishme në Meshën Shenjte, që do të kremtohet të dielën, më 25 maj, në orën 11. 00, në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan. Kështu festa e sivjetme, e cila sipas traditës mbledh rreth figures së Pajtores të shqiptarëve qindra emigrantë nga të katër anët e Italisë, do të ketë emocione të veçanta e hire të veçanta.







All the contents on this site are copyrighted ©.