Benedikti XVI Lëvizjes për Jetën, në 30-vjetorin e ligjit mbi abortin në Itali, që
nuk i ka zgjidhur problemet, përkundrazi, e ka zhvleftësuar vlerën e jetës.
(12.05.2008 RV)Papa i falënderoi nga zemra përfaqësuesit e Lëvizjes kushtuar
mbrojtjes së jetës, për çdo jetë ende të palindur, të shpëtuar nga vdekja. Me këto
fjalë Benedikti XVI përfundoi audiencën e sotme me përfaqësuesit e Lëvizjes për Jetën,
30 vjet pas ligjërimit të abortit në Itali. Përballë 800 vetëve, që mbushnin plot
Sallën e Bekimeve në Vatikan, Papa reflektoi për zhvleftësimin progresiv dhe zbehjen
e respektit që pësoi vlera e jetës së njeriut, gjatë tre dhjetëvjeçarëve të praktikimit
të abortit. Vlera e jetës është e padiskutueshme. E për Papën, “respekti për jetën
është drejtësia e parë që duhet zbatuar”. Pohimi i Atit të Shenjtë bëhet edhe më i
mprehtë, në se shikohet në lidhje me të drejtat e njeriut, interesimi ndaj të cilave
vijon të rritet në mbarë botën ndërsa, në mënyrë paradoksale, e drejta e atij që nuk
ka lindur ende e është i paaftë për t’u mbrojtur, i nënshtrohet vetëm gjykimit të
individit. Tridhjetë vjet ndërprerjesh të shtatzanisë në Itali, të autorizuara nga
ligji, ndikuan jo pak si mbi mendësinë shoqërore, ashtu dhe mbi vetë mendësinë e të
krishterëve, gjë që çon në përfundimin se jeta e njeriut sot vlen më pak se më parë: “Duke
vërejtur tri dekadat e kaluara e duke pasur parasysh gjendjen aktuale, nuk mund të
mos pranojmë se sot është gjithnjë më e vështirë të mbrosh jetën njerëzore, sepse
është krijuar mendësia, në rritje, e zhvleftësimit të saj, duke ia besuar gjykimit
të individit. Si pasojë kemi më pak respekt për vetë njeriun, pavarësisht nga feja
që praktikon”. Natyrisht – pranoi Papa - shkaqet që çojnë në një vendim të
dhimbshëm, siç është ai i abortit, janë të shumta e të ndërlikuara. E në se nga njëra
anë Kisha, besnike ndaj urdhërimit të Zotit, nuk lodhet së përsërituri se vlera e
shenjtë e jetës së çdo njeriu është pjesë përbërëse e planit të Krijuesit: “Nga
ana tjetër nxit e promovon çdo nismë në ndihmë të grave e të familjeve, që t’u krijojë
kushtet e favorshme për ta mirëpritur jetën e për ta mbrojtur institutin e familjes,
themeluar mbi martesën ndërmjet një burri e një gruaje. Lejimi i ndërprerjes së shtatzanisë
nuk i ka zgjidhur problemet që shqetësojnë shumë gra, e jo pak bërthama familjare,
por ka hapur një plagë të re në shoqërinë tonë, së cilës nuk i mungojnë edhe vuajtje
të tjera”. Është e nevojshme – vijoi Papa, duke iu drejtuar posaçërisht të
krishterëve, që: “Të dëshmohet konkretisht se respekti për jetën është drejtësia
e parë që duhet zbatuar. Për atë që ka dhantinë e fesë, ky është detyrim, sepse ndjekësi
i Krishtit është i thirrur të jetë gjithnjë profet i një të vërtete, e cila nuk mund
të zhduket kurrë: Vetëm Hyji është Zot i jetës!”.