2008-05-12 18:31:31

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(12.05.2008 RV)12 maj: Rublëv, autor i ikonës së Trinisë Shenjte.
Andrei Rublëv nuk gjen ngushëllim. Ai, piktori i jashtëzakonshëm, të cilin të gjithë e shikojnë si gjeni, ai, që i janë bërë aq shumë dhanti, tani i ka duart të njollosura me gjak.
Jemi në vitin 1408 në qytetin e Vladimirit, në Rusi. Tartarët i mbysin të gjithë njerëzit që takojnë rrugës. Banorët, ndërmjet të cilëve edhe Rublëvi, strehohen në katedrale. Por armiqtë thyejnë portat e… aty ku më parë jehonin vetëm himne, tani dëgjohen klithmat e njerëzve që theren si bagëti. Për t’u mbrojtur, Rubëlevi mbyt.
Duart e tij prej artisti, që kremtojnë bukurinë e Hyjit, njollosen me një faj të rëndë. Po si mund ta lejojë Hyji gjithë këtë kërdi njerëzish të pafajshëm?
Pak nga pak Rubëlevi, që është edhe rregulltar, gjen forcë në lutje. Në shembëlltyrën e grurit e të egjrës, Jezusi kujton se nuk duhet shkulur egjra, por duhet lënë të rritet së bashku me grurin. Kisha e re e së Shenjtnueshmes Trini e Shën Sergjit të Zagorskut, pret të zbukurohet, e është Rubëlevi ai që do të merret me këtë punë kaq të rëndësishme. Piktori rrok rishtas penelin e forca e tij shpërthimtare prej gjeniu, rifiton gjallërinë e parë, në dritën e fesë. Në kundërshtim me mizoritë e me vrasjet, dëshiron të shpallë para syve të botës dashurinë e Hyjit. Njerëzit duhet ta dijnë se i Tejetlarti banon në këtë tokë, se është i pranishëm në fshehtësinë e zemrës e të shpirtit. Artisti i bën vetes pyetjen: cila është figura më e përsosur e dashurisë së përsosur? Përgjigja vjen sakaq: është ajo e Trinisë: Ati e Biri e Shpirti Shenjt formojnë një dashuri të vetme, në harmoni e në dëgjim reciprok. Ikona e Trinisë, që i paraqet, është vendosur mbi elter. Tre engjëjt kanë vështrimin e Hyjit, sy të hapur, që kërkojnë vështrimin e njeriut. Drejtohen njëri nga tjetri, në një heshtje plot mirëkuptim e janë të veshur me rroba të kaltra e ngjyrë gështenjë, pak ngjyrë qielli e pak ngjyrë toke. Janë vendosur rreth një tryeze, në qendër të së cilës është kelku i Krishtit.
Andrei Rublëv e ka pikturuar ikonën në mënyrë që kush ta shikojë, ta ndjejë veten të përfshirë në kuadër, për të pirë gjakun e Krishtit, për të marrë pjesë në dasmën e amshuar. Por rrethi i formuar nga tre personazhet, mbetet gjithnjë i hapur, për të kujtuar se njeriu është i lirë t’i përgjigjet ose jo, thirrjes së Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.