2008-05-11 18:48:29

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(11.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi Solemnitetin e Rrëshajve.U përkujtua edhe Shën Anthimi, martir.

Më parë një psherëtimë e thellë, pastaj përgjigja e prerë që Jezusi u jep farizenjve, të cilët duan ta vënë në provë: “Pse të kërkojmë shenja të tjera nga qielli, kur kemi me ne vetë Birin e Zotit?”. Kësaj pyetjeje na fton t’i japim të njëjtën përgjigje të prerë liturgjia e së hënës, dita kur Kisha kremton festën e Shenjtorëve Nereu, Akileu e Pankraci, martirë.

Të martën, festa e madhe e Zojës së Fatimës, na fton të ndjekim simbolikisht mijëra shtegtarët e mbledhur në Cova da Iria të Portugalisë, në gjurmët e tre barinjve të vegjël, që t’i lutemi Zojës së Bekuar për ndjetet tona e të botës. Na nxit edhe të meditojmë mbi simbolin e tharmit, për të cilin flet Jezusi në Ungjill. Ky tharm nuk ka të bëjë me bukën materiale, por me shujtën shpirtërore. Shumëzimi i bukëve na zbulon pikërisht kuptimin e sofrës eukaristike.

Nuk jemi shërbëtorë, por miq të ngushtë të Zotit, ashtu siç ishte Matia, që u bë apostull dhe e shoqëroi Jezusin gjatë gjithë jetës së tij tokësore. E pikërisht Shën Matia apostull do të kremtohet të mërkurën, së bashku me Shën Mikelin Garikua, themelues i Priftërinjve të Betaramit kushtuar të Zemrës së Krishtit.

Të enjten, Shën Torkuati, ipeshkëv i Guadiksit dhe Shën Isidori bujk, me jetën e tyre, të shkrirë plotësisht në shërbim të Hyjit e të njeriut, na sigurojnë se Zoti e dëgjon gjithnjë lutjen e të varfërit e nuk e zhgënjen kurrë njeriun që i kërkon ndihmë me zemër të pastër.

Ligji yt, o Zot, është burim gëzimi, prandaj nxënësi është gjithnjë gati të japë edhe jetën për Ty e për Ungjillin. Nxënësi nuk tutet nga asgjë, sepse duke ecur në gjurmët e Krishtit, e di se do të arrijë në Mbretërinë e Tij. Këtë na kujtojnë, të premten, Shën Aleksandri, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir e Shën Ubaldi, ipeshkëv i Gubios.

E shtuna është dita e festës së Shenjtorëve Viktori, martir e Pashk Bajloni, laik françeskan, pajtor i shoqatave eukaristike. Liturgjia na drejton një pyetje tepër të vështirë, që ia bën vetes çdo njeri: “Ç’do të thotë të ngjallesh nga të vdekurit?”. Këtë pyetje e patën bërë edhe tre apostujt e Krishtit, të cilëve Zoti u dha përgjigje duke u shndërruar para syve të tyre mbi Malin Tabor.

Të dielën e ardhshme Kisha universale do të kremtojë solemnitetin e Trinisë Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.