2008-05-11 18:44:45

"Nuk jetohet vetëm për vete": u kremtua Mesha e Dritës për atë Françesko Botën, jezuit që e deshi shumë Shqipërinë


(11.05.2008 RV)RealAudioMP3 Një kishë e mbushur plot e përplot me njerëz, nga më të vegjlit deri tek të moshuarit, i dha sot lamtumirën e fundit atë Françesko Botës, ish-rektor i Institutit të jezuitëve Masimiliano Masimo, shkollë e mesme e mirënjohur në Romë për cilësinë e mësimdhënies dhe të edukimit. Ish-nxënësit, miqtë e dashamirët ishin grumbulluar edhe para portave të kishës e jashtë në oborr për të marrë pjesë në Meshën e Dritës për 72-vjeçarin, që ndërroi jetë më 8 maj në orën 23.30.
Mallëngjimi prekej me dorë si ndër të pranishmit, ashtu edhe në elterin e mbushur me meshtarë, ndër të cilët spikaste atë Masimo Nevola, bashkëudhëtari i atë Botës në vitet e fundit, Provinciali i jezuitëve atë Franc Tata, që kryesoi Meshën dhe atë Enriko Deida, shoku i seminarit që mbajti homelinë.
Atë Kiko, siç e thërrisnin me dashamirësi, ishte i pranishëm në çdo fjalë e gjest që shoqëroi kremtimin. “Nuk jetohet vetëm për vete” u mësonte nxënësve atë që ishte motoja e jetës së tij. Njihet impenjimi i tij në Shqipëri, ku ka shërbyer në Tiranë e ku ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për paqtimin e shpirtrave gjatë vitit të vështirë 1997. Edhe kur e ngritën në detyrë në Itali, preferoi të kthehej në Shqipëri. Impenjimi i tij i fundit qe Rumania, drejt së cilës u nis më 25 prill, pavarësisht se në karrocë, pa mundur të ecte me këmbët e veta. Sëmundja e vuri poshtë javës që kaloi, pas një keqësimi, për të cilin u detyrua të ndërpriste vizitën në Shtëpinë e Familjes, që e kishte themeluar vetë në Rumani.
Do të mbeten në mendje fjalët që nxënësit e tij i kishin shkruar sot rektorit të tyre, që s’është më. Janë përshkrimi me pak fjalë i jetës së atë Françesko Botës: “Faleminderit që na mësove të shohim të bukurën në çdo gjë, edhe përmes lotëve; faleminderit që na mësove të buzëqeshim edhe kur nuk mundemi; faleminderit që na shoqërove gjatë rrugës sonë shkollore”. E ne do të shtonim: “faleminderit që erdhe në Shqipëri e bëre një copë rrugë sëbashku me ne”.
Ta kujtojmë me zërin e regjistruar kur shoqëroi Atë Anton Lulin, jezuit shqiptar i mbijetuar nga regjimi komunist, në 50-vjetorin e meshtarisë së Papës Gjon Pali II. Atëherë at Luli foli para të gjithëve, duke dëshmuar persekutimin e Kishës në Shqipëri…







All the contents on this site are copyrighted ©.