2008-05-11 18:38:39

Kisha universale, fryt i Rrëshajve: reflektimi i Papës Benedikti XVI në Meshën Solemne të festës dhe thirrja e tij e fuqishme për Libanin


(11.05.2008 RV)RealAudioMP3 Shpirti i Shenjtë dhe harmonia e karizmave, përgjegjësia e Kishës universale për t’u bërë mjet paqeje, dhuratë e Pajtimit me Hyjin, në qendër të homelisë së Papës Benedikti XVI në Meshën e Solemnitetit të Rrëshajve, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në shesh, thirrja e Atit të Shenjtë për gjendjen shqetësuese në Liban.
Vetëm Shpirti i Shenjtë, që krijon bashkim, edhe pse jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri, mund ta çlirojë njerëzimin nga tundimi i përhershëm për të dominuar gjithçka – tha Papa gjatë Meshës së Rrëshajve. Është Shpirti i Hyjit që zbret mbi Apostujt, ai që krijon kishën universale, e jo vullneti i njeriut. Lind kështu një familje e bazuar jo më mbi lidhjet e gjakut, por mbi besimin në Jezu Krishtin. Apostujt flisnin menjëherë në të gjitha gjuhët, pikërisht sepse, që në themelimin e saj, Kisha është menduar si universale, pra për të gjithë, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet vendeve e njerëzve. Papa u ndal posaçërisht në ndërthurjen mes shumëllojshmërisë së të qënit Kishë dhe bashkimit në një Zot të vetëm, në harmoninë e karizmave të ndryshme edhe brenda vetë Kishës dhe unitetit përmes të njëjtit Shpirt. Karizmat, bashkësitë janë shumë, por Kisha katolike – sqaroi Ati i Shenjtë – nuk është federatë kishash të veçanta. Është një realitet i vetëm, që beson në një Zot të vetëm.
Duke vazhduar reflektimin mbi Rrëshajët, Benedikti XVI kujtoi fjalën “Shalom”, që Jezu Krishti e shqipton dy herë pas Ringjalljes. Është shumë më tepër se përshëndetje e thjeshtë – nënvizoi Papa – është dhurata e paqes së premtuar. Ajo e ngarkon Kishën me përgjegjësinë për të qenë shenjë e mjet paqeje për popullin e Zotit e për të gjithë popujt. Ati i Shenjtë kujtoi fjalimin e mbajtur në OKB, pikërisht për t’u përçuar këtë mesazh përfaqësuesve të popujve në Kombet e Bashkuara e më pas, theksoi se paqja arrihet edhe në jetën e përditshme të secilit, përmes Sakramentit të Rrëfimit e Pajtimit me Hyjin. Fatkeqësisht, vuri në dukje Benedikti XVI, ai nuk kuptohet aq sa duhet:
“Paqja e Krishtit përhapet vetëm përmes zemrave të përtërira të burrave e grave të pajtuara me Hyjin, që bëhen shërbëtorë të drejtësisë, të gatshëm të përhapin paqen në botë vetëm me forcën e së vërtetës, pa rënë në kompromis me mentalitetin e botës, sepse bota nuk mund ta japë paqen e Krishtit: ja se si Kisha mund të jetë tharmi i atij pajtimi që vjen prej Zotit. Mund të jetë vetëm nëse i bindet Shpirtit dhe dëshmon Ungjillin, vetëm nëse bart Kryqin si e me Jezusin. Pikërisht këtë dëshmojnë shenjtorët e shenjtoret e të gjitha kohërave!”
Pas Meshës në Bazilikën e Vatikanit, në mesditë, si zakonisht, Papa doli në dritaren mbi Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Në fjalët e Benediktit XVI shqetësimi i jashtëzakonshëm për gjendjen në Liban:
“Lajmet që vijnë nga Libani janë jashtëzakonisht shqetësuese. Stanjacioni i iniciativës politike u ndoq, së pari, nga dhuna verbale e më pas nga ndeshjet me armë, me shumë të vdekur e të plagosur. Megjithëse, gjatë orëve të fundit, tensioni është ulur disi, e quaj sot për detyrë t’u bëj thirrje libanezëve të braktisin çdo llogjikë kundërshtimi të dhunshëm, që do ta çonte vendin e tyre të dashur drejt së pandreqshmes. Dialogu, mirëkuptimi dhe kërkimi i një kompromisi të arësyeshëm janë rruga e vetme që mund t’i kthejë Libanit institucionet, ndërsa popullsisë, sigurinë e nevojshme për një jetë të përditshme dinjitoze dhe të pasur me shpresë për të nesërmen”.
Benedikti XVI ia besoi fatin e vendit, Zojës së Libanit dhe u kujtoi bashkësive të ndryshme që jetojnë aty se kanë detyrën e përbashkët për ta kthyer vendin e tyre në jetë.
Edhe në lutjen e Mretëreshës Qiellore, Papa vazhdoi reflektimin për Rrëshajët, duke theksuar se ato janë pagëzimi i Kishës, e cila fillon kështu misionin e saj universal nga rrugët e Jeruzalemit për t’u përhapur në të gjithë botën. Në këtë pagëzim, shpjegoi Ati i Shenjtë, janë të domosdoshme dy përmasa: ajo personale dhe ajo e bashkësisë, dishepulli dhe Kisha. Shpirti i Shenjtë e bën njeriun pjestar të misionit për të dëshmuar dashurinë e tij, nëpërmjet Sakramenteve të Pagëzimit e të Krezmimit:
“Në Mesazhin për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë 2008, u kam propozuar të rinjve të rizbulojnë praninë e Shpirtit Shenjt në jetën e tyre e pra, rëndësinë e këtyre Sakramenteve. Sot dëshiroj tua shtrij ftesën të gjithëve: të rizbulojmë të dashur vëllezër e motra, bukurinë e pagëzimit në Shpirtin Shenjt; të ndërgjegjësohemi për Pagëzimin e Krezmimin, burime të hirit të Hyjit gjithnjë aktual”.
Në përfundim, Ati i Shenjtë përshëndeti, ndërmjet të tjerash, edhe të rinjtë fokolarinë, të ardhur në Romë nga e gjithë bota, duke u thënë se janë vërtet shenja që Kisha i flet të gjitha gjuhët, duke mbetur e bashkuar në një Hyj të vetëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.