2008-05-11 18:49:04

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(11.05.2008 RV)RealAudioMP3 11 maj: Katerina e Sienës që ktheu Papën në Romë
A është e mundur të jetosh në një dhomë të errët e, që aty, të ndriçosh mbarë botën? Këtë bëri Katerina nga Siena, vajza e 28-të e Lapa Piagjentit e Jakob Beninkazës, mjeshtër i ngjyrosjes, që banonte në Sienë. Katerina jeton në një epokë të tmerrshme. Në vitin e lindjes së saj, një anije gjenoveze sjell një sëmundje të panjohur, murtajën, që grin e korr një të tretën e banorëve të Evropës. Por ka edhe më. Siena e Firence urrehen për vdekje, luftojnë me njëra-tjetrën e lënë të vrarë të panumërt në fushat e betejave. As Kisha nuk i shpëton këtij pështjellimi të hatashëm. Në vitin 1309 papa largohet nga Roma, për t’u strehuar në Avinjon të Francës. Bota jeton një çast jashtëzakonisht të trazuar. Katerinën nis ta tërheqë pa masë zhguni bardh e zi i domenikaneve të famullisë së saj. I duket se ky zhgun simbolizon luftën ndërmjet dritës dhe errësirës. Në moshën pesë vjeçe, ka një vegim, në të cilin Krishti e bekon nga lart, kështu vendos të jetojë vetëm për Zotin. Këtë rrugë e zgjedh pas një përvoje të jashtëzakonshme. Katerina është fëmijë i mrekullueshëm, një mrekulli e mirësisë së Hyjit. E mbyllur në dhomën e vet, bisedon ditë-natë me Jezusin e Marinë “si bisedoni ju me mua e unë me ju” –shpjegon Katerina, për të treguar sa fort është e lidhur me Zotin e me Zojën.
Pesëmbëdhjetë vjeçe kërkon e fiton të drejtën për të hyrë në radhët e terciareve domenikane. Mbetet laike, vijon të jetojë në shtëpinë e vet, por e kalon gjithë kohën duke u lutur e duke ndihmuar të varfërit. Kur murtaja shkatërron qytetin, Katerina gjindet vazhdimisht te koka e të sëmurëve, për t’i ndihmuar në çastin e fundit të jetës. Në sa ishte ende fare e re, një djalosh senez, i quajtur Nikolò i Toldos, dënohet me vdekje: do t’i pritet koka. Vajza shqetësohet, rebelohet, ngre ditë natë zërin tejet e zemëruar... Natën para ekzekutimit shkon ta takojë në qeli e, duke ia mbështetur kokën në prehër, e këshillon të lutet bashkë me të gjithë natën. Nikolò qetësohet. Të nesërmen e shoqëron deri tek vendi i ekzekutimit e, kur koka e tij rrokulliset përdhe, ajo e merr në duar.
Kur predikon, Katerina i lë të gjithë me gojë hapur. Shekullarë, rregulltarë e priftërinj mblidhen rreth saj për ta dëgjuar. Sapo mbush 29 vjeç, vendos të shkojë tek papa, në Avinjon, për ta bindur të kthehet në Romë: s’ka gjë në botë që t’ia presë rrugën kësaj vajze me vullnet të hekurt. “Kështu dua unë; ju thashë, unë dua të bëhet kështu!” – ngul këmbë Katerina, në sa flet me papën Gregori XI i cili, më në fund, pranon të kthehet në Itali. Pak kohë pas kësaj ngjarjeje, Katerina merr si dhuratë pesë plagët e Krishtit: shenjat e gozhdave në këmbë e duar e varren e përgjakur të kraharorit të shporuar. Vdes më 29 prill 1380 e në shekullin XX shpallet Pajtore e Italisë (1939, Papa Piu XII); Dijetare e Kishës, titull që e kanë vetëm 33 personalitetet më të shquara për reflektimet tyre teologjike, ortodoksinë dhe shenjtërinë e jetës (më 1970, Papa Pali VI) dhe Pajtore e Evropës (1999, Papa Gjon Pali II).







All the contents on this site are copyrighted ©.