2008-05-10 18:05:34

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajve “A”. Zoti flet në gjuhën tënde!


(10.5.2008. RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajve, festës së Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, në Jeruzalem. Që nga ajo ditë e nga ajo ngjarje madhore, mund të pohojmë se historia e njerëzimi kanë një orientim të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit.
Pra, kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishti Zot i pati premtuar dhe dhuruar asaj, pra ne të gjithëve: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor, Shpirtin Shenjtërues Zot që na është dhuruar në zemrat tona me sakramentin e Pagëzimit, në mënyrë që të mund të ecim, të mund të veprojmë e të jetojmë në Dritën Hyjnore, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, të cilin jemi të ftuar ta dëgjojmë e pasyrqojmë në jetë e në marrëdhëniet tona të përditshme me të tjerët.
Festa e Rrëshajve, ardhja e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Pra, nga kjo ngjarje e Rrëshajve, Shpirti Shenjt Zot banon në shpirtin tonë njerëzor, Zoti është bërë më i afërt me ne, është më intim me ne, se sa ne jemi me veten tonë, thotë shën Agostini. Kështu, festa e Rrëshajëve na siguron se Zoti nuk na braktis kurrë, por Ai është miku e shoku i përjetshëm i udhës sonë në jetën tokësore drejt përjetësisë.
Eshtë Shpirti Shenjt Zot Ai që na jep kuptimin e ri të misterit të Jezusit. Pa Të është e pamundur të depërtojmë në këtë mister të Krishtit. Eshtë Shpriti Shenjt Ai që na bën të aftë t’i lexojmë ngjarjet në dritën e fesë, në fenë e Krishtit që është dhuratë e tij
Me kremtimin e solemnitetit të festës së Rrëshajëve, Kisha e mbyll ciklin e Pashkëve për të vijuar me kohën e zakonshme liturgjike gjatë vitit.
Porsi pema që, pas stinës së lulëzimit, më në fund sjell frytet e veta në mënyrë që të gjithë të mund t'i shijojnë, po kështu është edhe për Kohën e Pashkëve që mbyllet duke na dhuruar Shpirtin Shenjt. Duke iu dëftuar nxënësve të vet të mbyllur në Cenakull, Jezusi u dhuron atyre Shpirtin; në dyzet ditët që pasojnë Ngjalljen e Krishtit, mësuesi hyjnor flet gjithmonë për Shpirtin të cilin e pati premtuar qysh para mundimeve e kryqëzimit.
Sot Shpirti vjen në plotësi e menjëherë fillon misionin e tij, duke e vendosur Kishën në horizontin e botës, e duke bashkuar ngadalë por vazhdimisht zemrat e çdo populli e të çdo kombi në familjen e vetme të nxënësve të Jezusit, në përqafimin e vetëm të Zotit që është Ati, Biri e Shpirti Shenjt.
Atë ditë të Rrëshajve për botën fillon një flakë dashurie, faljeje e hiri ( bekimi) që askush nuk do të mund ta shuajë kurrë.
 Sonte është nata e festës së Rrëshajve. Me këtë solemnitet mbyllet periudha e kohës së Pashkëve që filluam para 50 ditësh. Kisha i jep rëndësi të jashtëzakonshme kësaj feste e të kremteje, aq sa ta konsiderojë ndër më të rëndësishmet pas Pashkëve. Po pse e gjithë kjo rëndësi? Përgjigjen e gjejmë në leximet biblike të kësaj së diele, duke filluar nga leximi i parë nga Vepra e Apostujve, që thotë se nxënësit gjendeshin së bashku në të njëjtin vend, në Jerusalem. Në Ungjillin e Gjonit thuhet se menjëherë pas vdekjes e ngjalljes së Jezusit, nxënësit rrinin me dyer të mbyllura, nga "frika prej Judenjve". Pse kishin frikë? Me çdo gjasë, kishin frikë se do të trajtoheshin porsi Mësuesi i tyre. Jezusi, që pati predikuar dashurinë e faljen, nuk ishte i mirëpritur nga të gjithë për shkak të predikimit të tij: për shumë kënd mendimi e predikimi i Jezusit ishte shkandullues, sepse i detyronte të ndryshonin e përmirësonin jetën. Për këte arsye e vranë. Kush ka studiuar historinë e Romës e di mirë se nxënësit kishin të drejtë të frikësoheshin: sepse në të vërtetë të gjithë qenë persekutuar e u bënë martirë të kryqëzuar, me koka të prera apo të copëtuara nga luanët e Koloseut.
Mirëpo kjo ndodhi më vonë. Po ne të bëjmë një hap mbrapa, menjëherë pas ngjalljes së Jezusit. Gjoni, që ishte i pranishëm në skenën e ngjarjes, tregon se "ditën e parë pas të shtunës…vjen Jezusi, ndalet në mesin e tyre e thotë "Paqja me ju"". Këndej bëri një gjest simbolik: "fryu mbi ta e u tha"merreni Shpirtin Shenjt". Në këtë mënyrë Jezusi e mbajti premtimin që u pati dhënë para se të vdiste: ai në të vërtetë u pati thënë nxënësve të vet se do të kishte qenë me ta përgjithmonë e se do t'u kishte dërguar Shpirtin e vet.
Kjo dhuratë e parë e Shpirtit ndodhi në formë private, në një dialog mes Jezusit e nxënësve. Ndërsa ditën e Rrëshajve Shpirti Shenjt paraqitet në mënyrë spektakolare: "Vjen papritmas nga qielli një krismë, porsi era që përplaset fuqishëm, dhe e mbushi tërë shtëpinë ku gjendeshin”.


Solemniteti i Rrëshajve nuk është thjesht kremtim apo kujtim. Është realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e krishtera që përkujtojnë përvjetore, nga ato që kremtojnë një mister. Ato që përkujtojnë përvjetore, kremtojnë rikthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa festat që kremtojnë ‘misterin’, ndërmjet të cilave Shenjti numëronte në radhë të parë Pashkët, jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e rijetojnë atë. Prandaj gjëja më e rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri në jetën tonë personale e në realitetin tonë konkret e të përditshëm. Tani t'i dëgjojmë leximet biblike të këtij solemniteti e pastaj komentinRealAudioMP3 .







All the contents on this site are copyrighted ©.