2008-05-10 18:33:59

Kriza e familjes dhe konsumizmi, në qendër të fjalimit të Papës drejtuar ipeshkvijve hungarezë, në vizitë ‘ad Limina’.


(10.05.2008 RV)Sot, duke pritur në audiencë ipeshkvijtë hungarezë, në vizitë ‘ad Limina’, Papa foli kryesisht për krizën e rëndë që kalon familja në Hungari dhe për pasojat e tjera të konsumizmit mbi jetën e njerëzve.
Një ndjenjë pasigurie përshkon tej e mbanë shoqërinë hungareze. Posaçërisht, njerëzit e kanë të vështirë t’i besojnë njëri-tjetrit, frikë tipike e atyre që kanë jetuar për një kohë të gjatë në atmosferën e dyshimit për gjithçka e për gjithkënd. Këtë pohoi Papa, duke nënvizuar edhe ndikimet negative të konsumizmit dhe të procesit të shekullarizimit mbi njeriun: mendimin dhe vullnetin e sëmurë, që vijon të jetë tepër i përhapur në kohët tona dhe krizën e rëndë të familjes. Pak martesa, një numër tepër i madh divorcesh, shumfishim i të ashtuquajturave ‘çifte të faktit’, që bashkëjetojnë pa kurorë, rënie e ndjeshme e lindjeve, praktikim gjithnjë më dramatik i abortit.
Këto janë edhe sfidat kryesore, që duhet t’i përballojë Kisha, prelatëve të së cilës Papa u dha zemër të mos e humbasin kurrë guximin:
Në këto rrethana, natyrisht, Kisha duhet të jetë mësuese, por sidomos e mbi të gjitha, nënë, që të ndikojë kështu në forcimin e besimit reciprok dhe të shpresave në të ardhmen”.
Me të drejtë – vijoi Ati i Shenjtë duke u folur ipeshkvijve - ju kritikuat njohjen publike të bashkimeve homoseksuale, sepse janë në kundërshtim jo vetëm me mësimin e Kishës, por edhe me vetë Kushtetutën hungareze.
Kur flasim për familjen - vijoi Ati i Shenjtë - duhet të kemi mirë parasysh edhe ndikimin mbi të rinjtë e, si foli për edukimin e rinisë, Papa theksoi detyrën e ‘ungjillëzimit të kulturës’. Duke vlerësuar punën e ipeshvijve hungarezë, Benedikti XVI u ndalua pikërisht tek nismat e shumta për edukimin e të rinjve, tek tradita e shtegtimeve dhe e thellimit të devocionit për shenjtorët hungarezë, sidomos për Shën Elizabetën, Shën Emerikun e natyrisht, për Shën Shtjefnin:
“Në shekullin XX në bashkësinë tuaj nuk munguan edhe dëshmitarët heroikë të fesë: ju porosis, prandaj, t’i kujtoni, që vuajtjet e tyre, të përballuara me shpirt të krishterë, t’i nxisin të jenë të guximshëm e besnikë si besimtarët, ashtu edhe të gjithë ata që mbrojnë të vërtetën e drejtësinë”.
Papa shprehu, pastaj, një shqetësim tjetër: mungesën e meshtarëve dhe pasojat e saj, që peshojnë rëndë mbi punën baritore, problem i cili ndjehet në shumë vende të Evropës. E kjo duhet t’i shtyjë meshtarët ta dallojnë atë që është themelore, nga ajo që është e dorës së dytë dhe t’i kushtohen kryesisht veprimtarive më të rëndësishme për jetën e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.