2008-05-09 19:17:15

Serbia ratifikoi Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE-në


(09.05.2008 RV)Serbia përjeton ditët e fundit që e ndajnë nga zgjedhjet e së dielës, ku do të përcaktohet se cila prej partive do ta qeverisë vendin. Deri tani fushata zgjedhore është zhvilluar pa kursyer fjalët dhe goditjet e rënda nga të gjitha palët.
Sot, qeveria e Beogradit, me shumicë votash, ratifikoi Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, një vitaminë e ofruar nga Brukseli në mbështetje të presidentit europeist Boris Tadiç. Votimi u bë i mundur në sajë të ministrave liberalë të lidhur me Tadiçin, pavarësisht nga kundërshtimet e hapura të kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe të njerëzve të tij, të cilët braktisën mbledhjen para ratifikimit.
Lista europeiste e Boris Tadiçit do të konfrontohet pasnesër me ultranacionalistët e Tomislav Nikoliqit dhe me konservatorët e Vojisllav Koshtunicës. Sondazhet japin fitimtar Nikoliqin, por partia e Tadiçit e ka shkurtuar mjaft distancën me të. Mollë sherri mbetet Kosova, ku serbët lokalë do të votojnë pavarësisht nga kundërshtimet e Prishtinës. UNMIK-u ka vendosur t’i lejojë ata të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, por pa u përzierë në organizimin e tyre.


Mbetet e rëndë gjendja në Liban. Bilanci, akoma i përkohshëm i ndeshjeve të djeshme ndërmjet milicive shiite Hezbollah dhe proqeveritarët antisirianë është rritur në 11 të vdekur e 20 të plagosur. Sot, hezbollahët kanë marrë në dorë pjesën myslimane të Bejrutit dhe kanë mbyllur televizionin “Fjuçër Njus” (Future Neës) të liderit të mazhorancës qeveritare, Saad Hariri. Edhe televizione e radio të tjera të kahut të ekzekutivit u është mbyllur goja më parë. Ideja që qarkullon është se hezbollahët duan të bëjnë të njëjtën gjë që bëri Hamasi në Rripin e Gazës, duke e shtrënguar Izraelin në darën e shteteve myslimane, me mbështetjen e Iranit.


Ndërsa nuk është e mundur të përcaktohet saktë numri i viktimave të ciklonit Nargis në Mianmar (ish-Birmani), sot junta ushtarake sekuestroi të gjitha ndihmat humanitare të arritura nëpërmjet OKB-së. Nga ana tjetër, ajo njoftoi se do të pranojë ndihmat amerikane dhe fluturimet ndërkombëtare të ndërprera pas sekuestrimit vazhduan. Gjithsesi, organizatat si Programi Ushqimor Botëror dhe Karitasi kanë denoncuar se akoma nuk dihet se në ç’mënyrë do të shpërndahen këto ndihma.







All the contents on this site are copyrighted ©.