2008-05-08 15:55:43

Mesha dhe Lutja drejtuar Zojës Rruzare në Pompei, kryesuar nga kardinali Bertone.


(08.05.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite mijëra besimtarë u mblodhën në Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Pompeit. Sipas traditës, në mesditë u kremtua lutja e shkruar në vitin 1883 nga themeluesi i Shenjtërores, i Lumi Bartolomeo Longo. Sivjet lutjes i priu kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në përfundim të Meshës, kryesuar prej tij.
Për domethënien e kësaj lutjeje të veçantë mariane, pyetëm kryeipeshkvin e Pompeit, imzot Karlo Liberatin:

Përgjigje: - Kjo lutje, nga më të bukurat që i drejtohen Virgjërës Mari në Kishën katolike, është tepër e njohur. Lindi, para së gjithash, nga intuita profetike që Bartolomeo Longo, avokat i ri, pati në një nga rrugët fshatarake të Pompeit, si ishte kthyer në rrugën e Zotit, pas një periudhe të shkurtër hutimesh rinore. Zoja i tha se duhet t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. Pas kësaj ngjarjeje të 2 tetorit 1872, Bartolomeo Longo bleu një truall për ngritjen e Shenjtërores, me pëlqimin e ipeshkvit të Nolës. Guri i parë i këtij tempulli qe vënë pikërisht më 8 maj të vitit 1976.

 
Dy fjalë për historikun e Festës dhe të lutjes së saj tradicionale, të cilën Bartolo Longo e quajti ‘Ora e botës’, sepse bashkon mbarë botën në një lutje korale:
“Më 7 tetor 1571, në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit nga Korinti, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu Papën Piu V të caktonte një festë falënderimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".
Kjo festë më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër. Lutja, e kremtuar pranë rrënojave të Pompeit, duket sikur i bën të flasin, të qortojnë, të kujtojnë se fati i njeriut është i pasigurtë; siguria mund të gjindet vetëm tek Ungjilli që shpëton, që shëlbon! E Rruzarja është një shtesë efikase e Ungjillit, për t'ia kumtuar Krishtin një shoqërie që po largohet përherë e më shumë nga vlerat e krishtera. Por Rruzraja është edhe lutje gjithnjë aktuale për të përhapur mesazhin e paqes, posaçërisht në fillimin e një mijëvjeçari i cili është fshikulluar nga erërat e acarta të luftës.
Në sfondin e Pompeit të lashtë, Lutja drejtuar Zojës merr vlerë simbolike; flet për një hov të ri të kumtimit të krishterë në kohët tona. E ky kumtim konkretizohet posaçërisht në ftesën për vëllazëri universale”.







All the contents on this site are copyrighted ©.