365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(08.05.2008 RV)8 maj: Imzot
Zhâ dë Mëlâ, themelues i spitalit të parë për gra e për fëmijë të braktisur Jemi
në dimrin e vitit 1363 e në Paris bën shumë ftohtë. Njerëzit dalin pak e aspak nga
shtëpitë e grumbullohen rreth vatrës, në pritje të kohëve më të mira. Por shumë nga
të varfërit nuk kanë çati mbi kokë, nuk kanë vatër as zjarr, e s’kanë as një pjatë
me supë e një copë bukë, që t’i ngrohë sadopak, në ditët e zbadhura nga bora, kur
bukuria vret. Shpesh në mëngjes rrugës gjinden njerëz të vdekur gjatë natës. Gjithsesi
nuk mungon një vend, ku të varfërit mund të strehohen: është spitali, që në këtë epokë
quhet ‘Hoteli i Hyjit’. Emër tepër i përshtatshëm: në fund të fundit spitali është
një lloj hoteli, ku të varfërit e të sëmurët pranohen falas në emër të Zotit. Puna
është se spitalet janë fort të pakta, në sa të sëmurët, tepër të shumtë: nganjëherë
shtrohen katër vetë përnjëherësh në të njëjtin krevat. Kjo gjendje nuk i pëlqen
aspak ipeshkvit të Parisit, Zhâ dë Mëlâ, madje e tmerron. Në mënyrë të veçantë e prek
thellë fati i fëmijëve: janë viktimat e para të këtij dimri të pamëshirshëm, nga që
kanë shumë më tepër nevojë për kujdes, sesa të rriturit. Tani njerëzit që punojnë
në spitale janë aq të zënë me të rriturit, sa nuk kanë fare kohë t’u kushtojnë vëmendjen
e duhur edhe fëmijëve. Shpesh për fëmijët që shkojnë në spital, nuk ka asnjë vend
të lirë. Atëhere ata rikthehen në rrugën e bardhë, të ngrirë, ku i pret vdekja e sigurtë.
Prandaj, në mes të dimrit, Zhâ dë Melâ u bën thirrje gjithë njerëzve vullnetmirë.
Duhet krijuar një spital i veçantë për njerëzit më të ligësht, dmth për gratë e për
fëmijët. Duhet të shpëtohen sa më shumë që të jetë e mundur. E kjo është detyrë e
shenjtë për të krishterët – u kujton të gjithëve ipeshkvi i Parisit. T’u shërbesh
njerëzve të ligshtë e të varfër është njëlloj si t’i shërbesh Jezu Krishtit.Në sajë
të Zhâ dë Mëlâ hapet spitali i ‘Shpirtit Shenjt’, institucioni i parë shëndetësor
për gra e fëmijë të braktisur. Në sajë të njerëzve si ai, në rrjedhë shekujsh numri
i spitaleve do të rritej gjithnjë e më shumë. Por të ngresh një spital nuk është
shaka: duhet të luash duart, e shumë madje. Duhen gjetur lokale të mëdha, duhen para
për të blerë ilaçe, ushqim për të ngrënë e dru për t’u ngrohur, e duhen siguruar edhe
njerëzit që do të kujdesen për të sëmurët. Me një fjalë, është gati e pamundur që
një punë e tillë të realizohet nga një njeri i vetëm. Por kur je i krishterë i bindur,
si Zhâ dë Mëlâ, nuk mendon dy herë. Përvesh mëngët e ia hyn punës. Sepse është çështje
jete a vdekjeje për mijëra të sëmurë e të varfër. I krishteri e ka për detyrë t’i
shpëtojë vëllezërit nga bukuria e bardhë që vret!