2008-05-06 15:35:47

Papa në fillim të muajit të Marisë: Me Rruzare Krishti vendosen në qendër të jetës sonë


(06.05.2008 RV)Sipas traditës së lashtë popullore, muaji i majit i kushtohet Marisë. Benedikti XVI ia beson Asaj nevojat e Kishës e të mbarë botës. Maria – pohon Papa – është Nënë e Mësuese për të krishterët e të gjitha kohërave. E, të shtunën e kaluar, në përfundim të Lutjes mariane, që e kryesoi në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, Benedikti XVI u shpreh kështu: “Rruzarja Shenjte nuk është praktikë e lidhur me të kaluarën. Lidhet me të gjitha kohërat e sjell paqe e pajtim”.
Një numër i madh besimtarësh u mblodhën rreth Atit të Shenjtë në të shtunën e parë të muajit që, sipas traditës, i kushtohet Virgjërës Mari.
Në hyrje të Kishës Atin e Shenjtë e priti ikona e Shën Mërisë ‘Shpëtimi i popullit romak’ e Benedikti XVI e nderoi në heshtje, para se të fillonte Rruzaren, kushtuar pikërisht Nënës së Krishtit, shoqëruar me Misteret e Galdimit, që përshkojnë etapat kryesore të jetës së Krishtit: nga Lajmërimi i Zojës së Bekuar, te episodi i Jezusit në Tempull, ndenjur ndërmjet doktorëve, duke i pyetur e duke u dhënë përgjigje.
Kujtojmë se në mbrëmjen e 31 majit, Papa do të jetë në Sheshin e Shën Pjetrit për kremtimet përfundimtare të muajit marian.
Një muaj kushtuar Zojës! Na lind vetvetiu pyetja: “Ç’i shtyu të krishterët t’ia kushtojnë Nënës së Jezusit muajin e majit? Ia kërkuam përgjigjen kardinalit Pol Pupar, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Kulturën:

Përgjigje: - Ishte një kërkesë e popullit të krishterë, që nisi shumë kohë më parë. Më kujtohet sesi kur isha fëmijë, ne, me nënën, motrën e gjithë të tjerët, shkonim për ta stolisur me lule Zojën e Bekuar e për t’i paraqitur Nënës së Krishtit lulet më të bukura, që janë lutjet.

Pyetje: - Ç’ rol ka Maria në historinë e shëlbimit? Ç’ thotë për këtë doktrina katolike?

Përgjigje: - Thotë gjënë e mrekullueshme, që e pohojmë në Besojmë: Jezusi, Shëlbuesi e Biri i Hyjit, lindi nga Zoja e Bekuar për shëlbimin tonë. Në shekujt e parë të Kishës pati diskutime të vazhdueshme, pas të cilave Koncili i Efezit e quajti ‘Theotokos’, Nënë e Zotit. E unë prekem ende thellë kur shtegtoj nëpër Evropë, e posaçërisht në Moskë, e shikoj këtë mbishkrim: “Maria, Nëna e Hyjit”. Atëherë theksoj që gjëja kryesore është se nuk mund ta ndajmë dot Birin nga Nëna. E pikërisht me këtë bindje feje, Maria u quajt Zojë e Papërlyer, sepse nuk mund të kishte asnjë njollë mëkati. Më pas, edhe e Ngjitur në qiell, dogma e fundit e shpallur nga Piu XII - që pohon se Maria u ngjit në qiell me korp e me shpirt. Pse? Sepse nuk mund të mbetej e ndarë nga qielli.

Pyetje: - Devocioni për Zojën e Bekuar është shumë i përhapur në mbarë botën, por mund të ndodhë që të mos përkojë me fenë e jetuar çdo ditë, në çdo rrethanë. Si mund ta jetojmë këtë përshpirtëri me fe të vërtetë?

Përgjigje: - Edhe Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën baritore ‘Gaudium et Spes’, thekson me ngulm se është e nevojshme të kapërcehet hendeku ndërmjet besimit e praktimit të tij në jetë. Kemi shumë nevojë ta ushqejmë fenë, që devocioni të jetë përherë i vërtetë e Maria të mbetet gjithnjë Nëna që na çon te Biri, te Jezusi.

Pyetje: - Hirësi, a mund t’ju bëjmë edhe një pyetje personale? Si i luteni ju Zojës së Bekuar?

Përgjigje: - I lutem Marisë si i lutet fëmija nënës së vet të dashur. Jam mësuar t’i lutem kështu që kur isha fëmijë, në prehër të nënës, e është ajo që ma ka mësuar ‘FalemiMërinë’, të cilën e them gjithnjë para se të fle, sepse përndryshe nuk më zë gjumi. Kjo është lutja ime më e dashur. Pastaj kujtoj misteret e Rruzares, njëkohësisht të thjeshta e të thella, Mistere të Marisë, të Krishtit, të vetë jetës sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.