2008-05-05 18:01:43

Zgjedhjet në Serbi: Putin i përgjigjet BE-së, mbështet Koshtunicën


(05.05.2008 RV)Çështja e Gërdecit vazhdon të shkaktojë probleme në Shqipëri. Pasi Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e imunitetit për ish-Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë akoma duhet të bindet për vlefshmërinë e masës së marrë. Sot ai i ka kërkuar Prokurorisë dokumenta shtesë, që të mund të ilustrojnë më mirë arësyet e heqjes së imunitetit. Sipas kryeprokurores Ina Rama, ish-ministri Mediu ka favorizuar në mënyrë të paligjshme kompanitë SAC dhe ALBADEMIL në çmontimin e municioneve të Gërdecit.

Rritet jashtëzakonisht tensioni në Serbi para zgjedhjeve të së dielës 11 maj. Presidenti Boris Tadiç ka marrë një letër me kërcënime për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian. Akuza: “tradhëti ndaj popullit serb” për të cilën Tadiç do të marrë një plumb kokës.
Ndërkaq, ndërmjet aspiratave europeiste të Beogradit dhe Brukselit ndërhyn edhe Rusia. Moska shkruan një letër në përkrahje të kryeministrit filorus, Vojisllav Koshtunica, si përgjigje për mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Evropian, me nënshkrimin e marrëveshjes më 29 prill. Kështu zgjedhjet në Serbi shndërrohen edhe në terren gare gjeopolitike ndërmjet Lindjes e Perëndimit.
Putin, pavarësisht se shmang përmendjen e drejtpërdrejtë të zgjedhjeve, përkrah plotësisht Koshtunicën në qëndrimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës dhe ofron mbështetjen pa kushte të Moskës. Në këmbim, lideri rus kërkon që Koshtunica, në rast fitoreje, ta sigurojë për ratifikimin e marrëveshjes mbi blerjen e ndërmarrjes së naftës e gazit të Nishit nga kolosi moskovit Gazprom, me një çmim të leverdisshëm për Rusinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.