2008-05-05 16:48:03

Papa anëtarëve të Veprimit Katolik: të jeni dëshmitarë guximtarë të një feje, mike me arsyen.


(05.05.2008 RV)Më se njëqind mijë vetë mbushën dje Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë të ngrohtë pranverore, plot diell, për të kremtuar së bashku me Papën lutjen e Mbretëreshës Qiellore në Solemnitetin e të Shëlbuemit si dhe takimin e Atit të Shenjtë me Veprimin Katolik, me rastin e 140-vjetorit të themelimit.
Kështu, në Sheshin madhështor, i cili dje kishte marrë pamjen e çenakullit, Papa foli për Ngjitjen në qiell të Krishtit i cili – shpjegoi – erdhi në botë për ta udhëhequr përsëri njeriun drejt Hyjit, jo si filozof a si mësues i dijes, por si bari që dëshiron t’u prijë deleve drejt vathit.
“Këtë ‘Dalje’ drejt Atdheut qiellor, që Jezusi e jetoi personalisht, e bëri krejtësisht për ne. Për ne zbriti nga qielli e gjithnjë për ne edhe u ngjit përsëri, pasi u bë krejtësisht i ngjashëm me njerëzit dhe e përuli veten deri në vdekjen në kryq e pasi preku fundin e humnerës së largimit të plotë nga Hyji. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve (Fil 2,9), duke ia rikthyer lumninë, por tani me natyrën tonë njerëzore. Hyji në njeriun – njeriu në Hyjin: kjo tashmë nuk është e vërtetë teorike, por reale. Prandaj shpresa e krishterë, e bazuar në Krishtin, nuk është ëndërr por, siç na kujton Letra drejtuar Hebrenjve, “atë e kemi spirancë të sigurtë dhe të fortë të jetës sonë’ (Heb .6, 19), një spirancë që depërton deri në qiell, ku Krishti na parapriu”.
Më pas Papa kujtoi Virgjërën Mari:
Duke i drejtuar sytë nga ajo, ashtu si nxënësit e parë, hyjmë menjëherë në realitetin e Jezusit: Nëna na çon te Biri, që nuk është më fizikisht ndërmjet nesh, por që na pret në shtëpinë e Atit”.
Në përfundim të lutjes mariane, Papa u bëri thirrje anëtarëve të Veprimit Katolik ta dëshmojnë shenjtërinë në botë.
“Kjo sigurisht do të bëhet e mundur – tha Ati i Shenjtë - në se Veprimi Katolik do të vijojë t’i qëndrojë besnik rrënjëve të fesë, të ushqyera nga bashkimi i plotë me Fjalën e Hyjit, nga dashuria e pakushtëzuar për Kishën, nga pjesëmarrja vigjilente në jetën civile e nga një impenjimi i përhershëm për vijimin e formimit. Miq të dashur: ju ftoj t’i përgjigjeni bujarisht thirrjes për të ecur në rrugën e shenjtërisë, sipas formave që përkojnë me veprimtarinë tuaj në shoqëri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.