2008-05-05 16:48:49

Kisha njeh dukjet mariane në Los, mbi Alpet franceze. Imzot Falko: mesazh mëshire e pajtimi për mbarë botën.


(05.05.2008 RV)Mijëra shtegtarë morën pjesë dje në Shenjtëroren e Zojës së Los, mbi Alpet franceze, në ceremoninë solemne, gjatë së cilës ipeshkvi i Gap e Ambrë, imzot Zhâ Mishel Falkò-Leandrí, shpalli njohjen zyrtare të dukjeve mariane para bareshës franceze Benuat Rankyrrel në këtë vend, ndërmjet viteve 1600 e 1700.
146 vjet pas njohjes së dukjeve të Lurdës, dje Kisha njohu vërtetësinë e fakteve të mbinatyrshme që ndodhën në këtë vend të humbur ndërmjet Alpeve franceze, duke filluar nga maji i largët i vitit 1664. Atë maj baresha Benuat Rankyrrel, që sapo i kishte mbushur 16 vjeç, në sa kulloste grigjën, pa për herë të parë Zojën e Bekuar, që mbante për dore një fëmijë jashtëzakonisht të bukur. Vajza nuk dinte as shkrim as këndim e, megjithatë, pikërisht asaj Zoja i besoi një mesazh të rëndësishëm, kur Evropa tronditej thellë nga të ashtuquajturat luftëra fetare: ishte ftesë për kthimin e mëkatnorëve e për pajtim. Zoja vijoi t’i dukej bareshës për 54 vjet rresht, deri në vitin 1718, kur vdiq. Periudhë e gjatë, në të cilën vegimtares iu desh të përballonte shumë trazime: nga tundimet e djallit, tek refuzimi nga ana e priftërinjve zhansenistë për t’i dhënë Kungimin Shenjt e deri tek detyrimi për t’u larguar nga vendlindja ku, kur u rikthye, gjeti gjithçka gërmadhë. Në vitin 1673, në sa lutej, iu duk vetë Jezusi i gozhduar në kryq e i mbuluar me gjak: që atëherë Benuat filloi të ndjejë dhimbjet e mundimeve të Krishtit. Nisin të vrapojnë tek ajo të sëmurë e nevojtarë. Të gjithëve u thotë një fjalë të mirë; shëron shumkënd e shumkënd e kthen në rrugën e Zotit. Të gjitha ngjarje të pashpjegueshme. Zhan Gitò do të thoshte: “Kjo Shenjtërore mbi Alpet është një nga thesaret më të fshehta e më të fuqishme në historinë e Evropës”. Janë këto fakte që e shtynë imzot Zha-Mishel di Falkò-Leandrí të vijojë përpjekjet për arritjen e kësaj njohjeje zyrtare. Ta dëgjojmë:


Përgjigje: - Ajo që më inkurajoi për të ecur në këtë rrugë, ishte pikërisht mesazhi drejtuar Benuat Rankyrrel. Është mesazh tepër aktual, sepse thirrje për pajtim. Është, pra, mesazh i mëshirës e i pajtimit. Besoj se jetojmë në një epokë, në të cilën mund të kontribuohet akoma për realizmin e pajtimit, në të cilën është akoma e mundur të pajtohemi me të tjerët, për t’u pajtuar me vetveten. Por vetëm përmes pajtimit me Hyjin, mund të pajtohemi, pastaj, me të tjerët e me vetveten. Paqja e shpirtit mund të arrihet vetëm duke kaluar nëpër këto tri etapa.







All the contents on this site are copyrighted ©.