2008-05-05 16:50:42

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(05.05.2008 RV)RealAudioMP3 5 maj: Avokati i të varfërve
Punët shkojnë mos më keq ndërmjet Raulit e vjehrrit të tij, Gofredit. Prej dy muajsh s’bëjnë tjetër, veçse të grinden për një copë tokë. Natyrisht, shumë shpejt, grindja përfundon para gjykatësit. Do të jetë drejtësia ajo, që do t’i japë fund çdo diskutimi. Ivo, famullitari i Trédrecit në Britani, e njeh mirë Raulin dhe i vjen tepër keq për këtë grindje.
Një ditë, pak para se të kremtojë Meshën, Ivo takon njëkohësisht mikun e të vjehrrin dhe i fton të pajtohen. Por asnjëri prej tyre nuk është i gatshëm të bëjë hapin e parë, aq më pak t’i shtrëngojë dorën kundërshtarit.
“Paqja e vetme që dëshirojmë, është ajo e ligjit dhe e drejtësisë” - përgjigjen në kor dy burrat, që së paku këtë herë janë një mendjeje.
“E ashtu qoftë”, dorëzohet Ivo. “Do të kremtoj Meshën e do t’i lutem Zotit t’ju japë paqen”.
E ja se pas Meshës Ivo shikon Raulin e Gofredin që po e presin, njëri pranë tjetrit, te hyrja e sakrestisë. Me sa duket, lutja e meshtarit ia ka arritur qëllimit. Dy burrat, që pak më parë shikoheshin si dy armiq të përbetuar, pa shpresë pajtimi, tani janë gati ta pranojnë ndihmën e famullitarit për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. Një të thënë e një të bërë. Ivo i Tregyié ua kalon të gjithëve si specialist në shpjegimin e ligjeve. Në rini ka studiuar me pasion drejtësinë e, para se të bëhet meshtar, ka qenë gjykatës në gjykatën kishtare, që merret me zgjidhjen e grindjeve fetare, sipas drejtësisë së Kishës. Çështja që kanë ndërmjet Rauli dhe i vjehrri është tepër e thjeshtë për Ivon. I mjafton një orë e vetme për t’i dhënë fund. E, si e përfundon, të dy burrat shkojnë në punë të vet të kënaqur e të pajtuar.Rauli e Gofredi nuk janë ‘klientët’ e parë të famullitarit, e nuk do të jenë as të fundit. Ndodh shpesh që Ivo thirret për t’i zgjidhur problemet në mënyrë paqësore, duke ia kursyer të dyja palëve procesin e kushtueshëm, që s’i dihet fundi. E kur ata që paraqiten para Ivos janë të varfër, famullitari shkrin gjithë dijen e tij për t’i nxjerrë faqebardhë. Ka kohë që ‘avokati i të varfërve’, siç e quajnë të gjithë, i ndihmon pa kursim skamnorët. Që kur ishte student, qe gati të flijohej për t’i ushqyer e për t’i veshur. Shpesh flinte përdhe e ua lëshonte krevatin të pastrehëve.
Kur vdiq, më 1303, Ivo la pas emrin e njeriut të dashuruar me drejtësinë. Për këtë arsye u zgjodh Pajtor i njerëzve të drejtësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.