2008-05-03 13:54:18

Festa e të Ngjiturit të Jezusit në Qiell. Fjala e fundit: bekimi!


(03.05.08 RV)RealAudioMP3 Festa e të Shëlbuemit, është solemnitet që kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur.Me këtë festë kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e Lajmit të Mirë Ungjillit, e të krishtërimit në mbarë botën.
Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme Ngjitja e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati, që përmbushi shëlbimin: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na rrëfen Shën Gjoni Ungjilltar.
“Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë”.
“Dyzet ditë pasi u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit dhe ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit Qiellor. Jezu Krishti na dërgon Shpirtin e tij dhe na jep shpresë se një ditë do të arrijmë edhe në vendin që Ai na e ka përgatitur:
“Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Jezusi na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes”. Duke soditur këtë ngjarje “ne duhet të jemi të sigurtë se Zoti nuk është larg nesh, se nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Ai e ka ngritur tendën apo banesën e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vemë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!
Tani t'i dëgjojme leximet biblike të liturgjise së Fjales Hyjnore të kësaj së diele e pastaj komentin apo Homelin nga dom Gjergj Meta:........RealAudioMP3
Të dashur vëllezër e motra në këtë të dielë do të kremtojmë Ngritjen e Jezusit në qiell apo ndryshe sikurse quhet në traditën e popullit tonë Shëlbuemin. Dyzet ditë Jezusi i Ringjallur qëndron me dishepujt tij e sikurse na thotë leximi nga Veprat e Apostujve, në këto ditë ai u ka dhënë porosi dhe mësime atyre. Kështu ata janë të përgatitur për të vazhduar veprën e Jezusit me ndihmën dhe fuqinë e Shpirtit të Shenjtë që do t’u jepet atyre pas pak ditëve, pikërisht në Rrëshajë.
Leximi i parë lidh Ungjillin e Lukës me Veprat e Apostujve. Është i njëjti autor, Luka, por është edhe e njëjta histori. Me këtë lidhje gjuhësore Luka shpreh edhe një lidhje shpirtërore ndërmjet kohës së Jezusit dhe kohës së Kishës. Duke u ngjitur në qiell Krishti lë në duart e dishepujve, të Kishës së tij, veprën e Ungjillizimit. Autoriteti i Apostujve e ka zanafillën nga vetë Zoti dhe ai e ka dashur një pushtet të tillë të tyre që është para së gjithash një pushtet shërbimi ndaj Mbretërisë së Hyut e cila ka filluar realizimin e saj edhe pse ne nuk dimë kohën kur do të plotësohet përfundimisht. Dishepujve u besohet një mision, por nuk është në dorën e tyre programimi i këtij misioni. Detyra e tyre është të jenë të kujdesshëm ndaj zërit të Shpirtit që do t’u jepet dhe të gatshëm ndaj kërkesave të tij. Kufijtë e këtij misioni janë të pacaktuar, deri në skajin e botës duke filluar nga Galilea aty ku kishte filluar edhe vetë Jezusi.
Letra drejtuar efesianëve, nga e cila është shkëputur edhe leximi i dytë i kësaj të djele, hapet me një bekim të madh në të cilin sodiset shestimi i mrekullueshëm i Hyut, misteri i vullnetit të tij i cili qysh nga përjetësia përfshin krejt njerëzimin. Më pas Pali kërkon për besimtarët dritën shpirtnore që të jetojnë me vetëdijen e asaj cka Hyu ka paraparë për ta e që e bën me një fuqi të jazshtëzakonshem e të pagabueshme.
Në Krishtin Ati e ka mundur vdekjen dhe cdolloj fuqie shpirtërore që kundërshton shestimin e shëlbimit. Frika nuk ka pse të ekzistojë më: Krishti i ngjitur në të djathtën e Atit tashmë mbretëron. Ai është kryet e gjithë krijimit dhe në mënyrë të vecantë i Kishës me të cilën krijon një bashkim të pandashëm.
Leximi i Ungjillit është pjesa e fundit e Ungjillit të Mateut. Jezusi takohet me dishepujt e tij, u shfaqet atyre e në të njëjtën kohë falet me ta. Sa shumë njerëzore janë sjelljet e dishepujve e sa ndihmojnë për të kuptuar shpeshherë edhe qëndrime tona të përditshme ndaj misterit të besimit. “Kur e panë - na thotë ungjilli – e adhuruan, por disa dyshuan”. Disa e adhurojnë sapo e shohin e disa të tjerë dyshojnë, nuk janë të sigurtë. Kemi dëgjuar edhe për dyshimin e Tomës, për Pjetrin i cili nuk është i sigurtë të ecë mbi ujë. Misteri i Zotit i ngjall të dyja këto qëndrime adhurimin dhe dyshimin. Janë të dyja qëndrime dhe ndjenja krejt njerëzore.
Përballë asaj cka tejkalon fuqitë e mia të kuptimit, përballë misterit të Zotit që është mister dashurie unë nuk mund të kem një qëndrim tjetër përvecse adhurimit. Fjala shqipe adhurim përkthen një fjalë tjetër që do të thotë shtrirje për tokë horizontalisht në shenjë nderimi, adhurimi për dikë. Duke u shtrirë përtokë dishepujt i dorëzohen misterit, nuk kanë fjalë pasi ajo cka ndodh i tejkalon mundësitë e tyre të kutpimit. Është aq e bukur dhe sublime saqë fjalët nuk kanë vend dhe heshtja është mënyra më e mirë për të bashkëbiseduar me këtë prani. Jo pse ata ishin të trashë dhe nuk kuptonin, por vetë misteri i Zotit është i tillë që nuk mund të kapet krejtësisht, përvecse pjesë pjesë dhe me hirin e Zotit, nga asnjë mendje njerëzore sado e zhvilluar dhe e mencur të jetë. Kjo është habia që vjen nga misteri. Dishepujt e adhurojnë, përulen para tij edhe për t’i dhënë gatishmërinë e punës dhe impenjimit të tyre.
Disa dyshojnë na thotë ungjilli. Edhe dyshimi e ka zanafillën e tij në paftësinë për të kuptuar, por ata dishepuj mbeten peng të dyshimit. Dyshimi nga normal mund të kthehet shpeshherë në një mendjemadhësi e kështu në mëkat. Të dyshosh është mëse normale, madje edhe për Zotin, por të qëndrosh në dyshim me dashje do të thotë të pretendosh se mund të kufizosh Zotin në inteligjencën tënde e kështu ai nuk është më Zot.
Jezusi nuk thotë gjë për asnjërën nga kategoritë, por ai thjesht ju lë detyrat e shtëpisë që ata duhet të kryejnë deri në kthimin e Zotërisë: “Më është dhënë cdo pushtet në qiell e në tokë. Prandja shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Mësoni të zbatojnë gjithcka ju kam urdhëruar! Dhe ja unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës!” Një detyrë dhe një premtim. Detyra, që është thelbi dhe arsyeja e eksiztencës së Kishës: të shpallë ungjillin dhe të mbarështojë sakramentet. Premtimi: Unë jam me ju deri në të sosur të botës.
Kiosha nuk do të kishte një arsye tjetër ekzistimi përpos ungjillizimit. Të gjitha aktivitetet e tjera të Kishës janë vetëm mjete për të cuar ungjillin deri në skajet e tokës. Edhe kur Kisha kujdeset për të varfërit, edhe kur punon për kulturën edhe kur është e pranishme në masmedia nuk i bën si qëllim në vetvete, por vetëm për të cuar Lajmin e Mirë, Ungjillin, kudo. E këtë detyrë e ka cdo i pagëzuar në Kishë. Nuk është vetëm detyrë e Ipeshkëvinjëve dhe e meshtarëve, por edhe e rregullulltarëve e laikëve e të gjithë kishës. Nganjëherë njëfarë tundimi gjarpëron nëpër ambjentet tona: unë nuk flas për Zotin se nuk dua të dhunoj lirinë e atij tjetrit. Të shpallës ungjillin nuk do të thotë ta imponosh atë me dhunë. Të shpallësh do të thotë ta tregosh, ta thuash, ta dëshmosh me jetën tënde. Cdonjeri mbetet i lirë ta pranojë apo jo. Por ne kemi detyrën për ta shpallur atë.
Por mund të ndodhë edhe që ungjillizimi të mendohet si një punë pritërinjsh dhe vetëm e atyre. Edhe kjo është një persepktivë e gabuar. Nga njëra anë meshtarët kanë për detyrë të mos monopolizojnë Ungjillin vetëm për veten e tyre e nga ana tjetër laikët kanë të drejtë të kërkojnë prej meshtarëve të tyre të përgatiten sa më mirë për të dëshmuar ungjillin. Koncili II Vatikan e ka ritheksuar nevojën e Ungjillizimit nga ana e gjithë Kishës e të gjitha gjymtyrëve të saj. E sidmos në realitetin shqiptar, katolikët kanë nevojë të jenë të përgatitur për sfidat e ungjillizmit dhe të kohës. Pjesëmarrja e tyre në të gjitha sferat e jetës duhet të brymoset nga parimet e krishtera dhe të mos kenë turp, në kulturë, në politikë, ekonomi, art, arsim të dëshmojnë besimin e tyre gjithnjë duke respektuar rregullat e laicitetit të shtetit dhe të organizmave të përbashkët.
Zoti premton: “Unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës” kjo është garancia e mbarëvajtjes dhe mirëvajtjes së detyrës që Zoti na ka dhënë. Jezusi premton praninë e tij në jetën e Kishës dhe në jetën e cdo besimtari. Pa të ne nuk mund të bejmë asgjë. E vërteta është se Jezusi është subjekti parësor i cdo vepre ungjillizmi të Kishës. Shpesherë ai i paraprin Kishës dhe përgatit zemrat e njerëzve për ardhjen e misionarëve. Kështu ka bërë në fillimet e Kishës e kështu vazhdon e bën cdo ditë në jetën e saj. Prania e Jezusi është e garantuar nëprmjet sakramenteve, nëprmjet sakramentit të Kishës, nëprmjet meshatrëve.
Por e mbyll me lutjen që në këtë të djelë do të bëjmë në prefacin gjatë meshës së shenjtë: “Ai (Jezusi) ndërmjetës i Hyut dhe i njerëzve, Gjykatës i botës dhe Zotërues i gjithësisë, jo për t’u larguar nga përvujtërimi ynë, hyri para nesh në Mbretërinë e vet, por për të na dhënë shpresën e gëzueshme se edhe ne, gjymyrët e tija, do të shkojmë atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.