2008-05-03 18:31:24

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(03.05.2008 RV)3 maj: Një ditë në universitetin mesjetar të Parisit
Ora shënon 7. 30 të mëngjesit e dielli ende nuk ka lindur. Por mbi kodrën e Shën Gjenovefës, në Paris, tashmë janë ndezur shumë drita. Janë dritat e mensave të kolegjeve. Nxënësit hanë mëngjesin. Kanë uri prej ujku, sepse e nisin tepër heret ditën. Këmbana e zgjimit i bën të kërcejnë nga krevati që në orën 4, ndërsa mësimet e para nisin në orën 5, pasuar nga Mesha. E pra nxënësit nuk duken aspak të trishtuar, në gjysëmerrësirën e agimit. Ndër këto kolegje, që bëjnë pjesë në universitetin e famshëm të Parisit, ka shumë gjëra për të mësuar! Lëndët kryesore janë astronomia, matematika, shkencat natyrore, muzika, gjeometria. Por edhe, e sidomos, filozofia, studimi i mendimit njerëzor, dhe teologjia, studimi i dijes së njeriut për Zotin.
Në universitet nxënësit e ndjejnë veten si në një kazan të madh, ku zjenë të gjitha dijet e shekullit XIII. Në këtë kohë studiuesit rizbulojnë me pasion të jashtëzakonshëm veprat e mendimtarëve të famshëm grekë e latinë, që jetuan para Krishtit dhe përpiqen t’i shpjegojnë librat paganë në dritën e fesë së krishterë. Eshtë sfidë që të magjeps. Duhet të zgjohesh pa gëdhirë, në se do të mësosh. Ditët janë tepër të shkurtëra, për ta pushtuar gjithëdijen. Ajo s’ka fund. Ndërsa dita e edhe vetë jeta, kalojnë shpejt e shpejt…
Në sa hanë mëngjesin, nxënësit presin me padurim fillimin e mësimit. Mësimi nis me një ‘disputë’, apo diskutim, ndërmjet studentëve: një nga nxënësit paraqet tezën me një argument nga filozofia ose nga teologjia, përcaktuar prej profesorit e, pas tij, një tjetër mbron ide krejt të kundërta. Shokët dëgjojnë, reflektojnë e pastaj radhiten në njerin krah ose në tjetrin. Kur kureshtja shkencore e nxënësve arrin kulmin, ndërhyn profesori. Të ulur mbi stola kashte, nxënësit dëgjojnë në heshtje me sytë të mbërthyer tek katedra, ku profesori rri ulur mbi të vetmen karrikë të sallës. Mësuesi u prin nxënësve në gjetjen e rrugëzgjidhjes, duke krijuar mundësitë e pajtimit ndërmjet dy tezave; e nxënësit e kuptojnë sakaq gjithçka që pak më parë u dukej krejt e errët. Ç’mrekulli të studiosh në këta universitete të mëdha të Evropës: në Paris, Tuluzë e Monpelie të Francës; në Oksford e Kembrixh të Anglisë; në Bolonjë të Italisë. Në sa formojnë personalitetin e tyre, nxënësit ëndërrojnë të bëhen edhe ata mësues, si dijetarët e mëdhenj që dinë të drejtojnë ‘dispute’ mbi argumentet më të reja të teologjisë e bëjnë hapa vigane përpara në rrugën e kulturës mesjetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.