2008-05-02 17:56:30

Në Ohër të Maqedonisë takohen vendet e Iniciativës së Evropës Qendrore


(02.05.2008 RV)Filloi në Ohër të Maqedonisë, takimi dy-ditor i përfaqësuesve të 17 vendeve të Iniciativës së Evropës Qendrore. Këtë vit, mbledhja e grupit të formuar që nga viti 1989, përqëndrohet në stabilitetin e Ballkanit dhe në përpjekjen e disa prej shteteve anëtare për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Megjithëse Kosova është një nga argumentet kryesore të takimit, përfaqësuesit e saj nuk janë ftuar. Ishte presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi që nuk la pa përmendur edhe çështjen e Kosovës, duke kërkuar që shteti i ri të përfshihet në projektet dhe investimet ballkanike në të gjitha fushat e të krijohet për të një rrugë e sigurtë drejt proceseve të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Anëtare e grupit është edhe Serbia e kjo shpjegon mungesës e ftesës për Prishtinën, por edhe anëtarë të tjerë të Iniciativës, si presidenti i Maqedonisë, mendojnë se Kosova mbetet problem në zonë.
Në mbledhje u fol gjithashtu për krizën energjitike dhe kërkesën në rritje për elektricitet në rajon. Përveç investimeve për prodhimin e energjisë – u theksua – nevojiten edhe investime për transferimin e energjisë nga një vend në tjetrin, pra për krijimin e një rrjeti rajonal dhe lidhjen e tij me atë evropian. Projekt-rezoluta përfundimtare e mbledhjes nënvizon se procesi i integrimit evropian nuk duhet të konsiderohet i përfunduar, pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor dhe ripohon vendosmërinë e vendeve për të ecur në rrugën e integrimit.
Anëtare të Iniciativës se Evropës Qendrore janë Shqipëria, Austria, Bjellorusia, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Italia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Ukraina. Dhjetë prej tyre bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.