365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(02.05.2008 RV)2 maj: Epopeja
e jashtëzakonshme e murgut mongol, Raban Sauma Si? Një rregulltar mongol do
të kremtojë Meshën para Papës?”. “Të siguroj se është pikërisht kështu. Lajmi ka
marrë dhenë në mbarë Romën”. “Po si u bë rregulltar ky mongoli?”. “S’e kam idenë
fare. Për ta marrë vesh, duhet të shkojmë e ta shohim”. “Po nuk do të jetë e rrezikshme?”. Jemi
në vitin 1287 e të krishterët e Romës çuditen pa masë, kur dëgjojnë të flitet për
Raban Saumën, një rregulltar që ka ardhur në këmbë nga skaji tjetër i botës, për të
parë Papën. Në atë kohë një frat mongol shikohej si të kishte ardhur nga ndonjë planet
tjetër. Qyteti ku ka lindur, Khanbaliqi, kryeqyteti i sotëm i Kinës, Pekini, duket
si kryeqytet i një bote tjetër. Mesha e Raban Saumës ka një sukses të madh: kureshtarët
vrapojnë në masë për ta ndjekur. “Nuk është e mundur, xhanëm, që një mongol ta
thotë Meshën si duhet” – pëshpërisin njerëzia. Por, duan s’duan, Mesha është pikërisht
ashtu si duhet të jetë. E sytë në formën e bajames të Raban Saumës shkëlqejnë nga
gëzimi. Mendon për rrugën e gjatë që i është dashur të bëjë, për të arritur deri këtu:
së bashku me mikun e tij, Markus, përshkoi malet e fushat e vendit të tij të largët.
U ndaluan në Babiloni, në Bagdadin e sotëm, ku Markus u emërua kryetar i të gjithë
të krishterëve. Ndërsa Raban Sauma u caktua ambasador i mbretit të Bagdadit, që dëshironte
të përfaqësohej në Evropë. Kështu Raban Saumës iu desh të nisej rishtas, vetëm, drejt
Romës, për t’u takuar me Papën. Por kur arriti… ç’zhgënjim. Mori vesh menjëherë se
Papa Onori IV kishte vdekur. E ç’do të bëhej tani me misionin e tij? Në pritje
që të zgjidhet një papë i ri, Raban Sauma vendos të niset për në Paris e të takohet
me mbretin e Francës, Filipin e Bukur. Pastaj, përsëri në Romë, ku Papa i ri, Nikolla
IV e pret me përzemërsi të madhe. E sot, Raban Sauma, si ka përfunduar Meshën,
e ndjen veten thellësisht të lumtur. Jo vetëm pse, si shtegtar i madh, kureshtar e
guximtar, përshkoi një botë të tërë, për të parë si ishte Evropa, por kryesisht sepse
takimi i tij me Papën bashkoi të krishterët që nuk njiheshin. Natyrisht të krishterët
evropianë mbetën të ndryshëm nga ata që jetojnë në kufijtë më të skajshëm të Azisë
e do të jetë e vështirë të ruhen lidhjet, kur Raban Sauma të rikthehet në shtëpinë
e vet, por rregulltari mongol është tejet i kënaqur që u bë mjet i përvujtë bashkimi
ndërmjet katolikëve të dy botëve të ndryshme… të cilët megjithatë, besojnë në një
Zot të vetëm.