2008-05-01 10:33:58

Një maji në shenjë të krizës botërore. Mësimet e Kishës kushtuar botës punëtore


RealAudioMP3 Sot më 1 maj Kisha katolike kremtoi Shën Jozefin punëtor, festë e cila na kujton fjalët që Bibla i ka kushtuar punës dhe punëtorëve.
Pra, më 1 maj Kisha katolike kremtoi Shën Jozefin Punëtor. E gjithmonë ajo është interesuar dhe në mësimet e saj kurdoherë ka prekur problemet që lidhen me botën e punës duke u radhitur përkrah punëtorëve e duke mbrojtur të drejtave e tyre themelore. Po kujtojmë se edhe vetë Kisha është një vreshtë e Zotit.
Kështu majin Kisha ia kushtoi krejtësisht botës së punës, duke uruar që punëtorëve, e sidomos të rinjve të mos u mungojë kurrë puna, buka si dhe që kushtet e punës ta respektojnë gjithnjë më shumë dinjitetin e njeriut.
Po vetëm një shoqëri demokratike mund të garantojë barazi dhe të drejta për të gjithë, pa harruar se demokracia pa vlera, mund të kthehet lehtësisht në totalitarizëm të hapur ose të maskuar, siç vijon të na dëshmojë historia edhe sot. Kisha katolike e ka kujtuar gjithnjë përmasën njerëzore të veprimtarisë punonjëse, pa harruar humanizmin e mundit të përditshëm, duke ripohuar se vetëm “ njeriu është masa e dinjitetit të punës”. Nga përparësia e vlerës etike të punës së njeriut, burojnë përparësi të tjera: përparësia e njeriut mbi punën, e punës mbi kapitalin, e karakterit universal të të mirave shpirtërore e materiale mbi të drejtën e pronësisë private, përparësia e qenies mbi pasjen. Kështu pra, sot është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje situatave më të vështira, duke pohuar se i krishteri është i thirrur të kërkojë gjithnjë drejtësinë, por pa harruar vendin që zë dashuria në jetën e tij, gjë që shtyn përtej kufijve të vetë drejtësisë.
E në këtë ditë kushtuar puntorëve e punës nuk mund të mos përmednim edhe “Karten e Vlerave” posaçërisht mendimin për të vlerësuar çdo njeri duke u nisur nga dinjiteti i tij si krijesë e Zotit, nga aftësitë e nga ajo që mund të japë, sipas talenteve të tij, duke refuzuar çdo formë shfrytëzimi. Po kështu edhe njohjen e rëndësisë së familjes e të përgjegjësisë personale. E kemi fjalën për vlera të cilat për fat të keq, edhe për shkak të vështirësive aktuale ekonomike në shkallë botërore, janë në rrezik e mund edhe të mos ndiqen nga sipërmarrësit e nga firmat, të cilëve u mungon fryma e shëndoshë morale e vizioni i njeriut në dritën e Zotit.
Pra sot më 1 maj, në solemnitetin e Shën Jozefit, Kisha u kujton punëtorëve edhe një tjetër përmasë duke i ftuar ata të shenjtërohen përmes punës, sepse nuk mjafton vetëm aftësimi, ndonëse i nevojshëm, teknik e profesional, për ta realizuar plotësisht vetveten si individ e si anëtar i shoqërisë. Njeriu nuk ka nevojë vetëm për punë e për bukë, por edhe për çdo fjalë që vjen nga goja e Zotit, për t’ia arritur realizimit të vërtetë të jetës.
Edhe për Kishën si dhe për çdo institucion tjetër shoqëror, puna ka rëndësi të dorës së parë për realizimin e njeriut e për zhvillimin e shoqërisë dhe, për këtë arsye, duhet të organizohet e të kryhet gjithnjë në kushte që e respektojnë plotësisht dinjitetin e njeriut dhe që i shërbejnë së mirës së përbashkët. “Njëkohësisht është e domosdoshme që njeriu të mos bëhet shërbëtor i punës, të mos ta kthejë në idhull, duke pretenduar të gjejë në të kuptimin e fundit të jetës, sepse caku i mbramë i jetës së njeriut është Zoti”. Kështu u shpreh Benedikti XVI vitin e kaluar duke i ftuar të gjithë punëtorët të ndjekin shembullin e Pajtorit të tyre qiellor, Shën Jozefit.
****
***
Edhe një tjetër Papë, Gjon Pali II- i ka kushtuar vëmendje të posaçme çështjes së puntorëve, dinjitetit personit në punë e së drejtës së punës për çdo njeri. Ja ç’thoshte Papa Gjon Pali II, më 1 majin e vitit 1985, gjatë audiencës së përgjithshme:
“Kisha është solidare me problemet e punëtorëve: ajo u qëndron atyre afër, ndan me ta shqetësimet dhe aspiratat, gëzimet e hidhërimet. Kisha u paraqet atyre Krishtin në shtëpinë e Jozefit, marangozit të Nazaretit. Në atë shtëpi, Jezusi mësoi nga Jozefi ta fitonte bukën me djersën e ballit. Prandaj Kisha u tregon punëtorëve shembullin e Shën Jozefit artizan, fati i shën Marisë e pajtor i Kishës universale, i cili mori prej Zotit misionin e lartë e të veçantë për ta pritur me dashuri, për ta mbrojtur e mbështetur me punë e për ta ndihmuar me kujdesin e vet Jezusin, Fjalën e mishëruar të Zotit, në procesin e rritjes. T’i lutemi pra Shën Jozefit dhe Zojës së Bekuar, së cilës i kushtohet muaji i majit që fillon sot, që secili prej nesh, me hirin e Zotit, të zbatojë në jetën e përditshme mesazhin e dashurisë e të dhurimit të vetvetes, shpallur nga Krishti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.