2008-04-30 17:58:30

Papa pret delegatët islamikë e katolikë, pjesëmarrës në një takim kushtuar fesë e arsyes.


(30.04.2008 RV)Në përfundim të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa priti në Sallën e Palit VI disa delegatë iranianë të Organizatës islamike për kulturën dhe marrëdhëniet ndërfetare, që morën pjesë në bashkëbisedimin me Këshillin Papnor për dialogun ndërfetar, me temë “Feja e arsyeja në besimin e krishterë e atë islam”, që u mbajt këto ditë në Romë.
Në përfundim të bashkëbisedimit, pjesëmarrësit botuan një komunikatë, në të cilën shprehin mendimin e përbashkët se feja e arsyeja janë dhurata, që Hyji ia ka bërë njerëzimit e se nuk mund të përdoren për të përligjur dhunën. Të dyja palët mendojnë se duhen promovuar përshpirtëria e vërtetë, vlerat morale dhe respekti për simbolet e të gjitha feve, duke dënuar haptazi çdo përpjekje për talljen me besimet fetare.
Gjatë audiencës me delegatët, Papa shprehu kënaqësinë e tij të thellë për zgjedhjen e temës së bashkëbisedimit. Kujtojmë edhe se bashkëbisedimi i ardhshëm do të mbahet pas dy vjetësh në Teheran.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.